Maqedoni

Nuland: Barazi e plotë mes komuniteteve

14.07.2014 17:17

Shtetet e Bashkuara, vazhdojnë të mbështesin fuqishëm vizionin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit...

Shtetet e Bashkuara, vazhdojnë të mbështesin fuqishëm vizionin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, për një shoqëri të integruar të të dy komuniteteve. Kështu u shpreh ndihmëssekretarja amerikane për Evropë dhe Azi, Viktoria Nuland, gjatë takimit të saj me kryeministrin, Nikolla Gruevski.
 
Nuland theksoi se mbështetja e SHBA-së për investime të reja dhe prosperitet ekonomik sidomos në pjesën shqiptare të Maqedonisë, do te vazhdojë fuqishëm, pasi është e një rëndësie të veçantë që të dy komunitet të jenë në unitet  me  prosperitetin  dhe rritjen ekonomike.
 
“Biseduam rreth asaj se si mund të bëjmë diçka më tepër sidomos për rajonet shqiptare të Maqedonisë dhe ne duam të investojmë në këtë pjesë me kompanitë tona, me qëllim të sigurimit të prosperitetit për të dy komunitetet. Ne kemi  mbështetur gjatë vizionin e një shoqërie të një Maqedonie të integruar, ju keni një përgjegjësi të veçantë për rajonin dhe të jeni shembull se si mund komuniteti shqiptar dhe ai maqedonas të jetojnë në paqe dhe prosperitet së bashku dhe që të arrihet kjo, duhet shumë punë, kërkon përkushtim nga të dyja palët”, deklaroi ndihmëssekretarja, Viktoria Nuland.
 
Kryeministri Gruevski, u angazhua në krijimin e urave lidhëse mes dy komuniteteve. Ndërkaq, në lidhje me kontestin e emrit, ai theksoi se Maqedonia do të vazhdojë në mënyrë konstruktive negociatat nën mbikëqyrjen e sekretar-gjeneralit të OKB-së.
 
“Do të punojmë me përkushtim për shoqërinë e integruar dhe kohezionin e forcuar ndëretnik dhe do të vazhdojmë me vëmendje dhe me përkushtim ta ndërtojmë bashkëjetesën dhe t’i forcojmë urat mes bashkësive. Është e nevojshme që të dy vendet t’i qasen me efikasitet zgjidhjes së çështjes së emrit, me vullnet të mirë për sukses, në kuadër të principeve demokratike dhe të drejtës ndërkombëtare. Qartë i përçova pritshmëritë tona, që SHBA-të me një elan më të madh, do të vazhdojnë të japin impulse të reja në gjetjen e një vendimi principiel dhe të përshtatshëm në këtë kontest të imponuar dhe irracional”, tha kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
 
Ndihmëssekretarja për Evropë dhe Azi, Viktoria Nuland, njëherit potencoi se SHBA do të vazhdon investimin dhe përkushtimin për Maqedoninë dhe rajonin  në aspektin politik, ekonomik dhe në atë të mbrojtjes.
 
ZEJXHANE OSMANI