Maqedoni

Më 25 shkurt, Junker në Shkup

08.02.2018 13:15

Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, bëri të ditur se më 25 shkurt presidenti i BE-së, Zhan Klod Junker...

Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, bëri të ditur se më 25 shkurt presidenti i BE-së, Zhan Klod Junker, do të vizitojë Shkupin, prej ku dhe do të fillojë vizitën e tij në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të angazhimeve të BE-së për integrimin e Ballkanit perëndimor, Osmani bëri të ditur se më 17 prill do të publikohet raporti i rregullt i KE-së dhe raporti i veçantë për Maqedoninë.

Këto paralajmërime u bënë gjatë prezantimit të strategjisë së BE-së dhe detyrave që e presin vendin.

Në konferencën për shtyp u theksua se një nga porositë e BE-së është se nuk do të ketë integrim pa përmbushjen e kritereve të nenit 49 të Marrëveshjes për BE-në, përfshirë edhe kriteret e Kopenhagës.

Përveç kësaj, parakusht për integrim të një vendi në BE është mbyllja e kontesteve me fqinjët.