Botë
Pence: ShBA do zgjidhje paqësore me Korenë Veriore
08.02.2018 14:50
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, tha se Uashingtoni dëshiron të çmontojë paqësisht programin bërthamor të Koresë së Veriut...

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, tha se Uashingtoni dëshiron të çmontojë paqësisht programin bërthamor të Koresë së Veriut, por paralajmëroi Phenjanin të mos e nënvlerësojë forcën ushtarake të ShBA-së.
“Forcat tona janë të gatshme dhe kombi ynë është i vendosur”, tha Pence në një fjalim para trupave amerikane në bazën Jokota në Japoni.
“Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të kërkojnë paqe. Ne do të përpiqemi për një të ardhme më të mirë, por ju, instrumentet e pushtetit amerikan, e dini se të gjitha opsionet janë në tavolinë”, i tha Pence audiencës.
Pence do të udhëtojë në Korenë e Jugut për të ndjekur ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pjonçang, vetëm 80 kilometra nga kufiri i armatosur rëndë me Korenë e Veriut.
Dy zyrtarë të lartë veri-koreanë do të jenë po ashtu në Pjonçang. Të mërkurën, Pence ka thënë se Uashingtoni së shpejti do të miratojë sanksionet e tij më të ashpra ndaj Phenjanit.
Pas një viti retorikë të ashpër midis Phenjanit dhe Uashingtonit, tensionet në Gadishullin korean janë ulur, pasi udhëheqësi veri-korean, Kim Jong Un, ka thënë në fjalimin e Vitit të Ri se ai është i gatshëm për bisedime me Seulin.
Që atëherë, Veriu ka rënë dakord të marrë pjesë në Olimpiadën Dimërore të Jugut me një ekip të kombinuar në hokej nga të dy anët.
