Botë

Tiranë, 300 ditët e qeverisë Rama

14.07.2014 17:20

Kryeministri, Edi Rama, duket se nuk i ka punët mirë me krerët e disa institucioneve të pavarura shtetërore...

Kryeministri, Edi Rama, duket se nuk i ka punët mirë me krerët e disa institucioneve të pavarura shtetërore. Bëhet fjalë për presidentin, Bujar Nishani, kryeprokurorin, Adriatik Llalla dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kreu i së cilit është sërish Nishani.
 
“Nuk jemi të lumtur me presidentin e Republikës, nuk jemi të lumtur me prokurorin e përgjithshëm, por nuk i diskreditojmë institucionet që ata drejtojnë. Nuk jemi të lumtur me KLD-në, por mandati që na është dhënë na imponon të kemi marrëdhënie etike me të. Statusin e kandidatit Shqipëria nuk do e kishte marrë pa luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe pa rikthimin e Policisë së Shtetit në krye të detyrës. Lazarati tashmë është një fshat si gjithë të tjerët dhe vendi ynë ka hequr njollën e një vendi ku lulëzon droga. Ia dhamë statusin Shqipërisë nëpërmjet dinjitetit, duke mos e kërkuar atë si lëmoshë, e duke mos e lidhur me qëllimet tona si Qeveri apo me përmbajtjen e punës sonë, por duke argumentuar me seriozitet të drejtat dhe arsyet e forta pse Evropa duhet t’i shohë shqiptarët jo si problem, por si një aset të çmuar”, deklaroi kryeministri, Edi Rama.  
 
Deklaratat, Rama i ka bërë gjatë prezantimit të punës së bërë në 300 ditët e Qeverisë, ku megjithatë, ka rrëfyer se është bërë punë e madhe. Por, si pikë e dobët, sipas Ramës, është pikërisht sektori i drejtësisë.
 
E në fakt, duket se një gjë e tillë konfirmohet edhe nga deputetja e djathtë, Majlinda Bregu, por me një ndryshim, ajo e akuzon Qeverinë Rama si bashkudhëtare e krimit.
 
Këto deklarata të Bregut, vijnë pas një telefonate kërcënuese të deputetit të PS-së, Arben Ndoka, ndaj zëdhënëses së demokratëve, Lura Vorpsi, bërë një ditë më parë, telefonatë e cila nuk është mohuar nga Ndoka.
 
LULJETA NDOKA