Hahn: Marrëveshja Prishtinë – Beograd, ende vazhdon të mbetet letër e zbrazët

08.02.2018 17:27

Eurokomisari për zgjerim i BE-së, Johanes Han, vlerëson se Serbia....

Eurokomisari për zgjerim i BE-së, Johanes Han, vlerëson se Serbia nga fjalët duhet të kalojë në vepra, sepse vetëm kështu do të bindej se gjërat në teren po ndryshojnë.

Ai këto komente i bëri në Beograd në konferencën "Strategjia për Ballkanin Perëndimor - hapja e rrugës për anëtarësim në BE", ku theksoi se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, miratimin e së cilës BE-ja e kërkon para anëtarësimit të Serbisë në bllok, varet nga rrjedha e dialogut.

“Patjetër të zgjidhë kontestet e pazgjidhura bilaterale dhe kjo është e rëndësishme për BE-në, por edhe për ju si një vend që tenton të anëtarësohet. Ne do të refuzojmë të importohen çështjet e pazgjidhura dhe për këtë arsye Serbia duhet të zgjidhë çështjet bilaterale dhe kufijtë. Serbia patjetër duhet të zgjidhë në mënyrë të pakthyeshme dhe të mbyllë marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme me Prishtinën”,- deklaroi komisari i BE-së për zgjerim, Johanes Han.

Por, Han tha se aktualisht marrëveshja ligjërisht e detyrueshme midis Serbisë dhe Kosovës është një letër e zbrazët dhe pa dashur të paragjykojë tha se është e rëndësishme të dy palët të gjejnë zgjidhje që çojnë direkt kah dokumenti i detyrueshëm që e kërkon BE-ja.

Po ashtu Hahn thekson se strategjia jep perspektivë të qartë evropiane edhe për Kosovën, nga e cila kërkoi motiv të punojë me Serbinë për arritjen deri te një dokument ligjërisht detyrues që do të normalizonte marrëdhëniet. (Gyltene Sinani, TVM2)