Bisedimet për emrin drejt fazës finale, javën e ardhshme takimi Dimtrov – Koxias - Nimic

08.02.2018 17:48

Zgjidhja e kontestit të emrit duket se po futet në fazën finale....

Zgjidhja e kontestit të emrit duket se po futet në fazën finale, pasi në fillim të javës së ardhshme pritet të mbahet raundi i ri i bisedimeve ku në takim me ndërmjetësin Nimic, që sipas të gjitha gjasave do të mbahet në Bruksel, pritet të marrin pjesë shefat e diplomacisë së dy vendeve, Dimitrov dhe Koxijas.

Dy ministrat e jashtëm do të takohen edhe të enjten në Sofje në një takim joformal të shefave të diplomacisë së vendeve të BE-së ku marrin pjesë edhe ministrat e vendeve kandidate për anëtarësim.

Kyçja e shefave të diplomacisë në dialog me Nimicin shihet si fillim i vërtetë i bisedimeve, përkatësisht futje në thelbin e bisedimeve. Madje, nga Qeveria e Maqedonisë shprehet optimizëm për arritjen e zgjidhjes deri në mars. Burime qeveritare në vend theksojnë se nëse bisedimet mund të komplikohen, nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes në lehtësimin e procesit edhe të përfaqësuesve nga Uashingtoni, Brukseli ose Berlini.

Nga Qeveria thonë se kanë hasur në angazhim edhe nga ana e presidentit, Gjorge Ivanov, por edhe nga ana e opozitës, gjegjësisht VMRO-DPMNE-së, kryetari i së cilës ka premtuar konstruktivitet në këtë proces.

Po ashtu nga qeveria thonë se janë konstruktivë me partnerin e koalicionit, BDI-në, dhe e njoftojnë atë në vazhdimësi për zhvillimet rreth këtij kontesti.

Por, dallimet në Shkup dhe Athinë janë ende evidente, pasi kryeministri, Zoran Zaev, nuk e sheh të nevojshme ndryshimin e Kushtetutës së vendit, që është kërkesë e Qeverisë.

“Për momentin gjithçka që bëjmë është për të dëshmuar se Maqedonia nuk ka kurrfarë aspiratash, territoriale apo çfarëdolloj të tjerash, se Maqedonia nuk ka apetite irredentiste”,- ka deklaruar Zaevi.

Por, presidenti grek, Prokopis Pavlopulos, duke e përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij për ndryshime kushtetuese, thotë se “Që të ekzistojë zgjidhje për çështjen e emrit, për këtë vend, i cili për fat të keq në Kushtetutën e saj ka parashtruar pyetje lidhur me emrin dhe çështje të tjera irredentiste, duhet t’i miratojë të gjitha ndryshimet në rendin ligjor, posaçërisht në Kushtetutë, që të mund të gjendet zgjidhje për emrin pa irredentizëm dhe të ecë drejt procesit për integrim në NATO dhe në BE.

Derisa zëvendëskryetari i Parlamentit Evropian dhe shef i eurogrupit të SYRIZA-s, Dhimitris Papadimulis, ka vlerësuar se Qeveria e kryeministrit grek, Cipras, dhe ajo e kryeministrit Zaev në Shkup po shkojnë përpara me hapa vendimtarë drejt zgjidhjes përfundimtare të kontestit për emrin e Maqedonisë.

Ai ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Maqedonisë për ndryshimin e emrave të aeroportit dhe autostradës, duke theksuar se atë që e bëri kryeministri Zaev është me rëndësi, pozitive, e guximshme dhe nuk duhet të nënvlerësohet. (Gazmend Kurtishi, TVM2)