Sela kërkon dëmshpërblim prej gjysëm milion eurosh
Gjykimi i sotëm për të akuzuarit për tentim-vrasje të deputetit, Ziadin Sela...

Gjykimi i sotëm për të akuzuarit për tentim-vrasje të deputetit, Ziadin Sela, në ngjarjet e Kuvendit më 27 prill të vitit të kaluar ka vazhduar me dëgjimin e dy dëshmitarëve. Dëshmitari, Igor Ivanovski, i cili ka qenë prezent në sallë kur kanë filluar të sulmohen një grup i deputetëve me gjësende të forta, sipas prokurorisë jep deklaratë të ndryshme nga ajo që e ka dhënë në hetuesi.
Ai në pyetje të prokurorisë theksoi se Sela është qëlluar më shtizë në kokë pas çka ka filluar të humb vetëdijen duke u lëkundur në këmbë. Dëshmitari më tej theksoi se në sallë ishte një rrëmujë e madhe.
Ai theksoi se më pas kishte vërejtur një grup personash që e kishin rrethuar Selën, e të cilët sipas dëshmitarit u larguan në momentin kur besuan se i njëjti mund të jetë i vdekur. Pasi janë larguar protestuesit, dëshmitari i është afruar deputetit Sela dhe e ka parë të njëjtin në dysheme, pa vetëdije dhe me sulme fizike.
Dëshmitari para trupit gjykues theksoi se Sela është nxjerrë nga salla nga persona për të cilët tha se nuk mund t’i identifikojë për shkak të rrëmujës, në ndërkohë sipas prokurorisë po i njëjti dëshmitarë në hetuesi ka sqaruar se një person e ka tërhequr deputetin Sela dhe të njëjtin dëshmitari e ka përshkruar, identifikuar dhe emëruar.
Ndërkohë, dëshmitari tjetër i prokurorisë i ftuar për këtë rast sqaroi gjëra teknike rreth kamerave të sigurisë. Gjatë seancës, mbrojta e Ziadin Selës kërkoi dëmshpërblim prej gjysmë milion eurosh.
“Sot ishte e paraparë të dëshmojë edhe i dëmtuari, Ziadin Sela, mirëpo për shkak të tempos shumë të ngadaltë të pyetjes së dëshmitarëve i njëjti nuk do të vijë sot. Sa i përket dëmshpërblimit që e kemi kërkuar, i njëjti ka të bëjë me dëmin e shkaktuar material dhe jomatarial ndaj tij”,- u shpreh avokati i Selës, Abidin Abduli.
Në seancën e radhës pritet të dëshmojë edhe pala e dëmtuar, në këtë rast deputeti, Ziadin Sela, dhe ekspertë të mjekësisë ligjore. Ndërsa në procesin e mëtutjeshëm gjyqësor në cilësinë e dëshmitarëve janë paralajmëruar edhe deputetë, përfshirë këtu dhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferin. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
