MSh: Do të hapen shkolla për këshilla dhe përgatitje të prindërve të rinj
Prindërit e rinj apo gratë në shtatzëninë e parë do të kenë mundësi të marrin këshilla....

Prindërit e rinj apo gratë në shtatzëninë e parë do të kenë mundësi të marrin këshilla profesionale dhe ndihmë profesionale për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shtatzëninë dhe obligimet prindërore.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, bëri të ditur se për këtë qëllim do të hapen shkolla për prindër në tre ente publike shëndetësore - në Poliklinikën "Jane Sandanski" në Shkup, në Spitalin Klinik në Manastir dhe në Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar.
“Në këto shkolla do të jenë të kyçur ekipe të pediatërve, gjinekologë, akusherë, që do t’i njoftojnë ata me mënyrën e ushqimit të shtatzënave dhe të porsalindurve, këshilla mbi gjidhënien dhe shumë tema të tjera për përgatitjen e kësaj kategorie. Janë paraparë 17 milionë denarë për realizimin e aktiviteteve të shumta, mes të cilave edhe mbajtja e punëtorive edukative në mjediset rome, distribuimi material edukativ për prindërit e rinj, punëtoria edukative për gra shtatzëna dhe lehona, si dhe për partnerët e tyre me temë ‘Shtatzëni e shëndetshme’”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Mjetet për hapjen e shkollave do të sigurohen nga çdo shishe e shitur e ujit “Rosa” në paketim prej 1,5 litrash. Shkollat dedikohen për të gjithë dhe do të jenë pa pagesë. Projekti është marrë nga vendet e BE-së dhe për herë të parë realizohet në Maqedoni. (Farije Dauti –Bakiju, TVM2)
