Bisedë telefonike Putini dhe Erdogani, diskutojnë bashkëpunimin ushtarak në Siri
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan....

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në një bisedë telefonike janë pajtuar për forcimin e bashkëpunimit midis ushtrive të tyre në Siri, në luftën kundër terrorizmit.
Siç u njoftua përmes një deklarate nga Kremlini, Putini dhe Erdogani diskutuan edhe perspektivat për kontakte të reja midis Rusisë, Turqisë dhe Iranit në lidhje me Sirinë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se është përmendur edhe mundësia e një takimi midis liderëve të të trija vendeve. Putini dhe Erdogani diskutuan edhe situatën në provincat Afrin dhe Idlib të Sirisë, prej ku njoftohet se edhe dy ushtarë turq e kanë humbur jetën, duke e rritur në 20 numrin e ushtarëve të vrarë që nga fillimi i operacionit të ushtrisë turke në Afrin.
Ndërkohë, njoftohet se dhjetë persona humbën jetën si pasojë e sulmeve të avionëve ushtarakë të Rusisë në një spital të zbrazur dhe dy shkolla në "zonën jokonfliktuale", në Idlib të Sirisë. Ekipet e Mbrojtjes Civile kanë njoftuar edhe për 15 të lënduar, ndërsa kanë thënë se vazhdojnë sulmet ajrore ruse. Bombardime në Siri kanë kryer edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Forcat amerikane kanë realizuar një sulm ajror ndaj forcave pro qeveritare të Sirisë, pas një “sulmi të paprovokuar” ndaj luftëtarëve aleatë kurdë dhe arabë.
Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se rreth 100 luftëtarë të forcave të qeverisë kanë mbetur të vdekur.
Ata thuhet se janë munduar të marrin territor në lindje të lumit Eufrat, që më parë ishte marrë prej grupit të “Shtetit Islamik” nga Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga ShBA-të. Mediat shtetërore kanë raportuar se dhjetëra persona kanë ngelur të vdekur dhe të lënduar pas sulmit të ShBA-ve.
Lugina në mes të Lumit Eufrat shërben si linjë kufitare joformale në lindje të Sirisë, ku qeveria kontrollon pjesën perëndimore përderisa SDF ka nën kontroll pjesën lindore. (Sevdie Omeroviq, TVM2)
