Grubi në ShBA, takim me zëvendëssekretaren shtetërore, Kuper

08.02.2018 19:42

Kryetari i Komisionit kuvendor për Çështje Evropiane, Artan Grubi....

Kryetari i Komisionit kuvendor për Çështje Evropiane, Artan Grubi, në kuadër të vizitës së tij në ShBA e vizitoi Pentagonin, ku u takua me përfaqësuesen e lartë të Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-së, Laura Kuper, njëherit zëvendëssekretare shtetërore e Mbrojtjes e ShBA-së.

Siç njoftojnë nga Komisioni për Çështje Evropiane, Grubi ka folur për rolin vendimmarrës të ShBA-së në dy dekadat e fundit në Maqedoni dhe në rajon, dhe theksoi se të gjitha sukseset tona janë rezultat i tentimeve të përbashkëta.

"Hapat e fundit drejt qëllimit duhet t'i bëjmë së bashku, me guxim dhe ta realizojmë qëllimin e përbashkët, Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Maqedonia vazhdon me ritëm intensiv t'i zbatojë reformat, ta finalizojë pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit dhe t'i zgjidh kontestet me fqinjët sipas shembullit të marrëveshjes me Bullgarinë. Prandaj, tani është koha për NATO dhe të gjitha tentimet dhe energjia jonë janë koncentruar në realizimin e projektit që do të na sigurojë paqe, stabilitet, siguri dhe është parakusht për zhvillimin ekonomik",- ka potencuar Grubi.

Ndërsa Kuper në takim ka theksuar se mbështetja e ShBA-së në sferën e mbrojtjes për Maqedoninë është e lartë dhe e vazhdueshme, me ç'rast ka shprehur mbështetje për aspiratat euroatlantike dhe tentimet që t'i tejkalojmë të gjitha pengesat në këtë rrugë.