Maqedoni

Shilegov – Kaminis: të vendosim komunikimin, të tjerat zgjidhen vetë

09.02.2018 15:13

Kur qëllimi është vendosja e komunikimit, gjuha nuk përbën asnjë pengesë...

Këtë e tregoi në Athinë kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, që përshëndeti në greqisht nikoqirin e tij, Jorgos Kaminis, dhe gazetarët në pres-konferencën e përbashkët.
 
Shilegov tha se takimi është një mesazh i qartë për vendosjen e komunikimit normal mes dy popujve.
 
“Njerëzit në Shkup dhe Athinë kanë të njëjtat probleme. Ne duhet t’i zgjidhim këto probleme përmes shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Ky është hapi i parë për bashkëpunimin e ardhshëm”,- deklaroi kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.
 
“Takimi ynë krijon politikë optimizmi në bashkëpunimin mes dy qyteteve dhe dy shteteve tona. E di që ekziston frikë mes qytetarëve të të dy vendeve. Por, të dyja vendet do të përfitojnë shumë nëse bashkëpunojnë. Sot ne nuk biseduam për emrin, që është një çështje që diskutohet në nivele të larta mes dy vendeve. Ne diskutuam për bashkëpunimin që do të sjellë mirëbesim mes dy popujve tanë”,- u shpreh kryetari i Athinës, Jorgos Kaminis.
 
Kaminis do të vizitojë Shkupin pas disa javësh për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në sferën e politikës sociale, ndryshimeve klimatike dhe digjitalizimit, për të cilat u diskutua në këtë takim të parë në Athinë.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU