Maqedoni
Rasti “TNT”, Gruevski: çdo ditë në gjykatë, është johumane; Rastet e PPS-së, anulohen gjykimet për “Total” dhe “Trust”
09.02.2018 15:51
Procesi gjyqësor për rastin e PPS-së, “TNT”, që ka të bëjë me rrënimin e objektit “Kosmos”...

Procesi gjyqësor për rastin e PPS-së, “TNT”, që ka të bëjë me rrënimin e objektit “Kosmos”, vazhdoi në një atmosferë kaotike, me kërkesa, ankesa dhe replika drejt trupit gjykues.
Derisa pala mbrojtëse dhe të akuzuarit këmbëngulin që procesi të anulohet derisa nuk u sigurohen CD nga bisedat e përgjuara, trupi gjyqësor i angazhuar në këtë rast tërhoqi obligimin që kishte thënë ndaj PPS-së që palës mbrojtëse t’i dorëzohet CD në fjalë.
Gjykatësi ftoi palën mbrojtëse dhe të akuzuarit në zyra të gjykatës të mund t’i dëgjojnë bisedat por që nuk do t’u dorëzohen të njëjtat, pas çka caktoi seancën e radhës për më 15 shkurt.
Vendimi i tillë i gjykatës bëri që të akuzuarit e parë në këtë rast, Nikolla Gruevski dhe Mile Janakievski, të marrin fjalën pa u dhënë leje në gjykatë dhe të akuzojnë për gjykim të padrejtë.
Sipas tyre, nuk është humane që çdo ditë të ketë të caktuara gjykime kundër tyre dhe se u duhet kohë që t’i dëgjojnë bisedat e përgjuara, që sipas PPS-së zgjasin gjithsej 90 min.
“Reagova në drejtim të asaj se ky gjykim dhe gjithë të tjerat u bënë farsë e rëndë. Sipas mënyrës se si procesohen gjykimet, duket se është miratuar vendimi në Qeveri, atëherë mos të na maltretojnë, le ta lexojnë aktvendimin. Ne na caktojnë seancë në disa ditë, ndërsa Zaevit në dy muaj”,- deklaroi i akuzuari, Nikolla Gruevski.
Ndërkohë janë anuluar edhe dy rastet e tjera të PPS-së “Total” dhe “Trust”. Rasti “Total” kundër gazetarit, Llatas Pavlloviq, që akuzohet për fshehje të tatimit, është anuluar për shkak të pamundësisë që i akuzuari të paraqitet në gjykatë, për çka u dorëzua dëshmi mjekësore.
Ndërkaq, rasti “Trust”, ku i akuzuar është biznesmeni, Sead Koçan, dy persona fizikë dhe tre juridikë për falsifikim të dokumenteve gjatë fitimit të tenderit në ELEM, u anulua për shkak të pamundësisë që në seancë të marrë pjesë eksperti i ftuar ekonomik.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
