Maqedoni

“Në dimër me biçikleta në punë”, qytetarët: Nuk ka as vetëdije dhe as kushte në rrugë

09.02.2018 16:05

Pak e kushtueshme dhe e lehtë për t’u mirëmbajtur, me këto fjalë mund të përshkruhet biçikleta...

Si shumë vende të botës, edhe vendi ynë iu bashkëngjit për të katërtën herë ditës botërore që shënohet nën moton “Në dimër me biçikleta në punë”, qëllim i të cilit është të sensibilizojë qytetarët që biçikleta mund të jetë mjet i tyre transportues.
 
Por, sa përdoret biçikleta realisht? Për dallim prej të rinjve, gjenerata më në moshë është ajo e cila e përdor më shumë biçikletën si mjet transporti, ndërsa të rinjtë në të shumtën e rasteve preferojnë luksin dhe komfortin e makinave.
 
Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se mungon edhe vetëdija për benefitet që ka biçikleta, por edhe infrastruktura rrugore.
 
“Edhe përkundër përmirësimit të kushteve të çiklistëve viteve të fundit, ende nuk është e mjaftueshme, akoma duhet punuar në drejtim të rritjes së vetëdijes së qytetarëve për të përdorur biçikletat dhe respektuar rregullat e përshkruara për ta”,- tha një qytetar. 
 
“Për shkak të moshës time 70 vjeçare, sot më pak e përdori biçikletën, ose rrallë ndonjëherë kur është koha e mirë e marr për të bërë një xhiro me biçikletë”,- theksoi një qytetar. 
 
Në shënimin e kësaj dite në Shkup janë kyçur edhe Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Arsimit, Qyteti i Shkupit dhe disa komuna tjera.
 
Deri më tani janë paraqitur më shumë se 11.374 çiklistë duke dërguar porosi se edhe në dimër mund të vozitet biçikletë.
 
REXHEP QAMILI