Komunat e qytetarëve për qytetarët, 1.2 milionë franga në grande për 24 komuna

09.02.2018 16:44

Komunat kanë nevojë që të kenë këshilla komunalë më të fuqishëm, efektivë dhe autonomë...

Komunat kanë nevojë që të kenë këshilla komunalë më të fuqishëm, efektivë dhe autonomë, që të plotësojnë rolin e tyre. Përmes grandeve që arrijnë vlerën e 1.2 milionë frangave zvicerane,  synohet përmirësimi i kushteve në 24 komuna.

Projekti “Forcimi i këshillave komunalë”, i financuar nga UNDP dhe Qeveria zvicerane, synon gjithashtu  edhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së kryetarëve dhe këshillave komunalë.

“50 mijë franga do të ndahen për secilën komunë, pra gjithsej 1.2 milionë franga për 24 komuna gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit. Përveç kësaj, të gjitha komunat do të marrin para shtesë për rritjen e transparencës ndaj qytetarëve”,- deklaroi përfaqësuesja e UNDP-së në Maqedoni, Luiza Vinton.

“Decentralizimi shihet si një shtyllë e stabilitetit të brendshëm në Maqedoni sa i përket marrëdhënieve ndëretnike, një rëndësi të tillë e ka edhe procesi i demokratizimit, që do të thotë roli i qytetarëve në një mjedis të decentralizuar”,- tha ambasadorja e Zvicrës, Sibil Zuter Tehada.

Edhe qeveria është e përkushtuar në zhvillimin e komunave dhe në sigurimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.

“Është e rëndësishme që me një proces gjithëpërfshirës, autoritetet lokale dhe qytetarët së bashku të marrin vendime. Më e rëndësishme është që kjo praktikë të bëhet e qëndrueshme, pjesëmarrja e qytetarëve të inkurajohet nga autoritetet lokale”,- u shpreh ministri i Pushtetit Lokal, Suhejl Fazliu.

“Në buxhet për vitin 2018 janë planifikuar dhe janë ndarë më shumë mjete për komunat dhe për zhvillimin e barabartë rajonal në krahasim me vitin e kaluar. “Komunat do të kenë më shumë mundësi që në mënyrë më cilësore t’i kryejnë kompetencat e tyre, por edhe të fillojnë që në mënyrë të përshkallëzuar t’i shlyejnë borxhet që i kanë nga e kaluara”,-  theksoi ministri i Financave, Dragan Tevdovski.

Memorandum bashkëpunimi sot nënshkruan komuna e Çairit, Strumicës, Velesit, Shën Nikollës, Vallandovës dhe Ohrit. (Ersan Pajaziti, TVM2)