Bejta: 100 ditët e Taravarit, vetëm me largime nga puna, Taravari: Kam stafin tim, nuk do të punoj me stafin e Bejtës
Kur janë mbushur 100 ditë nga drejtimi me komunën e Gostivarit i kryetarit aktual.....

Kur janë mbushur 100 ditë nga drejtimi me komunën e Gostivarit i kryetarit aktual, ish kreu i komunës, Nevzat Bejta, ka akuzuar se ky 100 ditësh është dështim dhe Taravari në këto tre muaj, është marrë vetëm me largimin nga puna të arsimtarëve dhe administratorëve.
Bejta gjithashtu ka paralajmëruar se do të ngre padi kundër kreut aktual të Gostivarit për akuzat që ky i fundit i ka lëshuar ndaj tij.
“Internohen 15 administratorë nga komuna në mjediset e NPK-së së Gostivarit. Ka bërë shkarkimin e drejtorëve në kundërshtim me ligjin. Pas këtij veprimi antiligjor, Inspektorati i Arsimit ka konstatuar se shkarkimi i drejtorëve është në kundërshtim të plotë me rregullat ligjore. Në emër të depolitizimit, Taravari emëron drejtor politik joadekuat, bën largime nga puna nëpër shkolla, bëhet fjalë për 41 mësimdhënës me përvojë pune katër e më tepër vite. Në administratën komunale për 100 ditë ka punësuar gati 50 ushtarë partiakë”,- deklaroi ish-kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
Por, Taravari i hedh poshtë këto akuza duke sqaruar se po largohen nga puna ata që ishin punësuar apo emëruar në mënyrë të padrejtë. Sa i përket administratorëve, Taravari thotë se nuk mund të punojë me njerëzit e Bejtës.
“Se është dislokuar një numër i administratorëve është e vërtetë, se unë si kryetar komune patjetër se do vij me njerëzit e mi që të krijojë administratën time, sepse s`mund të punoj me njerëzit e Nevzat Bejtës. Puna e drejtorëve, shumica ishin emëruar në mënyrë të padrejtë dhe normal deri sa ka zgjedhje emërohen edhe drejtorë të ri, dhe nëse diku ka pasur lëshime ligjore, do shohim, ka gjyqe”,- u shpreh kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Edhe Taravari paralajmëron ngritjen e padive ndaj Bejtës, të cilin e akuzon për keqpërdorime gjatë drejtimit me komunën. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
