Tre vite nga publikimi i “bombave”, Musliu: Demaskuan qeveribërjen, pritet drejtësia
Tre vite pas publikimit të përgjimeve nga LSDM të njohura për opinionin si “bomba”, analisti politik, Albert Musliu....

Tre vite pas publikimit të përgjimeve nga LSDM të njohura për opinionin si “bomba”, analisti politik, Albert Musliu, thotë se ata demaskuan qeveribërjen e pushtetit të atëhershëm.
‘“Bombat’ edhe e fascilituan edhe e përshpejtuan procesin e ndërrimit të qeveribërjes dhe modelit të qeveribërjes. Kështu që ‘bomba’ e parë shtroi rrugën për një rrugëtim pak më të gjatë, i cili në Maqedoni zgjati mbi dy vjet, por fatmirësisht ai u përmbyll pa viktima njerëzore, edhe pse kishim trauma, kishte njerëz të lënduar. Domethënë ishte ai fascilititori i cili i dha fund asaj mënyre të qeveribërjes”,- deklaroi analisti i çështjeve politike, Albert Musliu.
Musliu beson se drejtësia do të marrë epilogun e duhur pavarësisht se sa do të zgjasë. Sipas tij, shqetësim mbeten reformat në gjyqësor të cilat duhet çuar deri në fund pavarësisht se vërehet një ndryshim në sjelljen e tij. Ky pushtet duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe jo të jetë indikuar nga kush udhëhiqet qeveria, thotë ai.
“Mendoj se gjyqësori do të gjejë mënyrën që të vijë drejtësia në pah, por gjyqësori jo çdo herë është i shpejtë. Ne kemi procese që zgjasin me vite. Unë e di se durimi tek të gjithë ne është se duhet të përmbyllen, por ja që demokracia e ka edhe manat e veta. Unë shoh një ndryshim tek sjellja e gjyqësorit, por kjo nuk nënkupton se qeveria duhet të tërhiqet prej reformave dhe ato duhet t’i çojë deri në fund”,- theksoi analisti i çështjeve politike, Albert Musliu.
Përpara tre vitesh, lideri i LSDM-së nga selia partiake në Bihaqka, për herë të parë në opinion i zbardhi bisedat e përgjuara të ashtuquajtura “bomba”, me çka edhe filloi projekti “E vërteta për Maqedoninë”, qëllimi i të cilit ishte të zbulohet mënyra e qeverisë e udhëhequr nga ish-kryeministri, Nikolla Gruevski. (Naim Ramadani, TVM2)
