Ngec zbatimi i rekomandimeve të Pribesë në gjyqësi
Zbatimi i reformave në gjyqësi, konform rekomandimeve të Pribesë....

Zbatimi i reformave në gjyqësi, konform rekomandimeve të Pribesë, nuk ec me dinamikën e pritur, madje në shumë aspekte ka shënuar ngecje. Të paktën kështu thotë Raporti “Reformat në gjyqësi tetor - dhjetor 2017”, i realizuar nga Shoqata maqedonase për juristë të rinj, Instituti për politika evropiane dhe Instituti për të drejta të njeriut.
Gjykatat mbeten joefikase, duke mbajtur nëpër sirtarë lëndë më të vjetra se shtatë vjet, gjykatësit nuk i respektojnë praktikat e Gjykatës Evropiane për liri të njeriut, ndërsa vendimet gjyqësore nuk publikohen në kohë në portalin gjyqësor.
“Mund të konstatojmë se gjykatat e lartpërmendura të përfshira në këtë raport monitorimi kanë tendencë për rritje të numrit të lëndëve të pazgjidhura, posaçërisht të lëndëve me kohëzgjatje prej 7 deri në 10 vite”,- tha Angela Shumkovska nga Shoqata maqedonase për juristë të rinj.
“Pjesa më e madhe e avokatëve vlerësojnë se gjykatat rrallë ose asnjëherë nuk i shpallin vendimet gjyqësore në afatet e parapara me ligj. Sa i takon portalit gjyqësor “sud.mk” në strategji është shënuar se me funksionimin e këtij portali tejkalohet praktika e mospublikimit të vendimeve gjyqësore. Por, ne bëmë një pasqyrë statistike të vendimeve të publikuara në këtë portal nga ku rezultoi se në periudhën tetor – dhjetor 2017 numër më të madh të vendimeve ka Gjykata Administrative, ndërsa Gjykata në Negotinë nuk ka publikuar asnjë vendim”,- theksoi Iva Konevski nga Instituti për politika evropiane.
Në raport shënohet se para Gjykatës Administrative ka 38 lëndë të pazgjidhura në kohëzgjatje prej tre deri në shtatë vjet, por nuk ka lëndë më të vjetra se shtatë dhe dhjetë vjet. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
