Maqedoni
Takimi Grubi-Nimic, Grubi: Zgjidhja është më afër se kurrë; Janushev: Kush e dërgoi Grubin në takim me Nimic
11.02.2018 16:34
Deputeti i BDI-së, Artan Grubi ka takuar në Nju Jork ndërmjetësuesin e Kombëve të Bashkuara në kontestin për emrin, Methju Nimic...

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi ka takuar në Nju Jork ndërmjetësuesin e Kombëve të Bashkuara në kontestin për emrin, Methju Nimic, me të cilin kanë diskutuar në përgjithësi për kontestin për emrin dhe kanë shkëmbyer mendime për ngjarjet aktuale.
“Qëndrimet e dy kryeministrave nxisin optimizëm se tani zgjidhja është më afër se kurrë. Ndërkaq, zgjidhja përfundimtare e cila do të arrihet duhet të jetë me dinjitet dhe e pranueshme për të dy palët.”- thuhet në kumtesën e BDI-së, duke shtuar se kompromisi duhet të mundësojë integrim urgjent dhe pa asnjë vonesë të Maqedonisë në NATO dhe BE.
VMRO, nga ana tjetër, karkon nga qeveria të sqarojë se kush e aka autorizuar deputetin Artan Grubi që të takohet me ndërmjetësuesin Nimic dhe përse nuk u distancuan nga qëndrimet e tij.
“Qeveria dje heshti dhe nuk u distacua nga deklaratat e Artan Grubit. Nuk ka as informatë të Qeverisë deri te ndërmjetësuesi Nimic se propozimet që paraqet Grubi nuk janë propozime të palës maqedonase por propozime të autoriteteve greke. Ministria e punëve të jashtme dhe kryeministri Zaev janë të detyruar të japin përgjigje kush e dërgoi Artan Grubin në takim me ndërmjetësuesin Nimic”, tha Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm i VMRO DPMNE-së.
Ndërkaq, nënkryetari i LSDM-së, njëkohësisht kryetar i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov thotë se më mirë është t'i zgjidhish problemet sesa t'i injorosh ato. Në një intervistë për gazetën greke "Dokumento", Petre Shilegov, thotë se ai, por edhe kryeministri Zoran Zaev dëshirojnë t'i zgjidhin e jo të krijojnë probleme.
Kryetari i Shkupit sqaron se ekziston nen në Kushtetutë, sipas të cilit Maqedonia nuk ka pretendime territoriale nga vendet fqinje. Ai sqaron se Aleksandri i Madh nuk ka qenë kurrë pjesë e historisë së rregullt të maqedonasve. ”Ka qenë i kyçur në historinë tonë në dhjetë vitet e fundit. Unë preferoj që Aleksandrin e Madh ta shohë si lider që e ka civilizuar gjithë botën", thotë Shilegov në intervistën për "Dokumento".
Pak ditë më parë kryeministri Zaev deklaroi se qeveria angazhohet për emër me përcaktim gjeografik që nuk do të prek identitetin dhe dinjitetin e asnjërës palë. Për javën që vjen, Zaev paralajmëroi takime me ndërmjetësuesin Nimic dhe shefat e diplomacisë të vendeve përkatëse, Dimotrov dhe Koxias.
SHPËTIM NUREDINI
