ARSIM

Nota mesatare e maturës shtetërore 3.11

15.07.2014 15:41

Për dallim prej viteve tjera, nxënësit treguan rezultate më të dobëta në gjuhën amtare, interesim të madh për lëndën e biznesit, ndërsa rezultate më të mira u vërejtën në lëndën e matematikës dhe gjuhëve të huaja………..

Nota mesatare e maturës shtetërore këtë vit është 3.11, theksoi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, duke paraqitur rezultatet e gjeneratës së shtatë me radhë që iu nënshtrua testimit, i cili është kusht  për vazhdimin  e arsimit sipëror.

Këtë vit u evidentua rritje e numrit të lëndëve eksterne dhe zgjerimi i lëndëve zgjedhore.

Për dallim prej viteve tjera, nxënësit treguan rezultate më të dobëta në gjuhën amtare, interesim të madh  për lëndën e biznesit, ndërsa rezultate më të mira u vërejtën në lëndën e matematikës dhe gjuhëve të huaja.

“Nota mesatare për arritjen e maturantëve është 3.11. Nota mesatare në gjuhë amtare dhe letërsi është 2.99, ku janë testuar 17.560 nxënës, nota mesatare në matematikë është 3.04 në nivelin fillestar, ku janë nënshtruar 2554 kandidatë në matematikë, të avancuar janë testuar 25, vitin e kaluar 12”, deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.

Nxënësit gjatë ditës së sotme mund të shohin rezultatet e shpallura të maturës shtetërore.

“Të gjithë nxënësit, sot nga ora 12 rezultatet e tyre mund t’i shohin në shkolla dhe të njëjtat i kanë në dispozicion në ueb faqen: matura.gov.mk”, theksoi Ademi.

Kandidatët, të cilët nuk janë të kënaqur nga rezultati, mund të parashtrojnë ankesa deri te Qendra Shtetërore e Provimeve më 16 dhe 17 korrik, ndërsa ankesat dërgohen në formë të shkruar. Sesioni i ardhshëm i maturës shtetërore do të mbahet me fillim nga 11 deri më 16 gusht. (Flutra Latifi, TVM2)