Ligji për shqipen, partitë në koordinim me kryeparlamentarin

12.02.2018 10:30

Koordinatorët e grupeve parlamentare sot duhet të realizojnë takim me kreun e Kuvendit,Talat Xhaferi....

Koordinatorët e grupeve parlamentare sot duhet të realizojnë takim me kreun e Kuvendit, Talat Xhaferin.

Në takim do të diskutohet për debatin lidhur me amendamentet e VMRO-DPMNE-së për Ligjin e gjuhëve. Nga BDI thonë se bashkë me LSDM-në po punojnë në harmonizimin e hapave të mëtejmë me qëllim të moszgjatjes së debatit dhe miratimit të ligjit sa më shpejtë. Ligji është në fazën të pakthyeshme sa i takon procesit të miratimit të tij.

Ata që tentojnë ta pengojnë janë të vetëdijshëm për këtë fakt, por e bëjnë për aspekte propagandistike, mirëpo ky veprim do t’u kthehet pikërisht atyre me izolim edhe më të madh vendor dhe ndërkombëtar. Ligji për përdorimin e gjuhëve është temë kryesore edhe në bisedimet që po zhvillohen mes grupeve punuese të bllokut maqedonas.

Ligji për gjuhët u kthye në Kuvend në lexim të tretë, pasi presidenti, Gjorge Ivanov, refuzoi të dekretoi të njëjtën me arsyetimin se bie ndesh me Kushtetutën. Në lexim të dytë, propozim-ligji për gjuhët kaloi me 69 vota pro, asnjë kundër dhe një i përmbajtur në votimin me badenter.