Tragjedi në Rusi, rrëzohet aeroplani, vdesin 71 persona
Një aeroplan vendës i udhëtarëve në Rusi është përplasur pak kohë pasi është ngritur nga një aeroport i Moskës....

Një aeroplan vendas i udhëtarëve në Rusi është përplasur pak kohë pasi është ngritur nga një aeroport i Moskës, me ç’rast janë vrarë të 71 personat që gjendeshin në të, thanë autoritetet e Rusisë.
“65 udhëtarë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit ishin në aeroplan dhe të gjithë ata kanë vdekur”,- ka njoftuar sot Zyra e Rusisë për hetime në transport.
Aeroplani i tipit, Antonov An-148, i kompanisë “Saratov Airlines” është zhdukur sot nga radarët, derisa ishte duke fluturuar nga aeroporti Domodedovo në Moskë për në Orsk të Uralit, ka raportuar agjencia Interfax.
“Aeroplani është përplasur afër fshatit Argunovo”, më se 80 kilometra në juglindje të Moskës, ka raportuar Interfax, duke e cituar një burim të shërbimeve të emergjencës. Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, tha se presidenti “u ka shprehur ngushëllime të thella atyre që i kanë humbur të afërmit në këtë përplasje”. Kanali televiziv shtetëror rus, Rossiya-24, ka transmetuar pamje të copave të aeroplanit në një terren të mbuluar me borë, ndërsa në afërsi nuk janë parë ndërtesa.
Ministria e situatave emergjente e Rusisë tha se janë gjetur trupat e pajetë dhe pjesë të mbetjeve në vendin e përplasjes. Njëri prej regjistruesve të fluturimit (kutia e zezë) është gjetur, kanë thënë zyrtarët.
