Maqedoni
Gripi në pikun e vet, Lumani: Kujdes, sidomos për fëmijët
12.02.2018 16:51
Virusi i gripit ka arritur kulmin e tij, i ndihmuar edhe nga temperaturat jo të zakonshme të dimrit, që favorizojnë mikrobet.

Vetëm javën që lamë pas 2011 persona ishin të sëmurë nga gripi. Edhe ndotja e ajrit është faktor që rëndon simptomat e gripit sezonal. Mjekët apelojnë që të sëmurët t’u shmangen ambienteve të frekuentuara me më shumë njerëz, në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e sëmundjes tek të tjerët, pasi virusi përcillet përmes ajrit. Mjeku, Sedat Lumani, porositi sidomos për kujdesjen e fëmijëve, megjithëse gripi është një sëmundje që nuk njeh moshë.
“Komplikimet e gripit te fëmijët dhe te të rriturit mund të shkaktojnë infeksione të organeve të frymëmarrjes, mund të shkaktojnë ndezje të veshëve, pastaj paraqitet edhe distribuimi në të gjithë organizmin në gjendje septike, meningitet janë po ashtu shumë problem dhe cefalitet të cilat mbarojnë ose me invaliditet ose në formë fatale. Kohëve të fundit kemi disa komplikime, siç janë pneumonitë edhe jorastësisht spitalet janë të stërmbushura nga komplikimet e shkaktuara nga gripi”,- deklaroi mjeku i përgjithshëm, Sedat Lumani.
Lumani thotë se më mirë është gripi të mund të parandalohet sesa të mjekohet dhe një nga preventivat është vaksinimi një muaj para fillimit të sezonit të gripit. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në dy muajt e parë të vitit është raportuar rritja e numrit të të prekurve nga gripi krahasuar me vitin e kaluar. Një numër i madh i të sëmurëve janë paraqitur në Shkup, Kumanovë, Dibër, Gostivar dhe Tetovë.
SEVDIE OMEROVIQ
