Maqedoni
Taravari: shlyem borxhet dhe depolitizuam arsimin. Bejta: largoi profesionistët, punësoi ushtarë partiakë
12.02.2018 17:20
Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, si arritjet më të mëdha në 100 ditët e para të mandatit të tij përmendi shlyerjen e borxheve...

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, si arritjet më të mëdha në 100 ditët e para të mandatit të tij përmendi shlyerjen e borxheve të trashëguara dhe depolitizimin e arsimit dhe të administratës komunale.
Taravari pret që këtë pranverë të vendoset në funksion edhe stacioni filtrues për ujë të pijshëm, ndërsa me ndihmën e Ambasadës së Zvicrës të fillojnë punimet në deponinë “Rusino”.
“E depolitizuam arsimin duke bërë emërime të drejtorëve kryesisht të propozuar nga vetë kolektivet e shkollave. Kuadrin arsimor joadekuat e zëvendësuam me kuadër të profilit të caktuar. E depolitizuam, po ashtu edhe Këshillin Rinor të komunës së Gostivarit, pa mos ndikuar fare në zgjedhjen e kryesisë. Për vetëm 100 ditë, duke racionalizuar skajshmërisht shpenzimet joproduktive, kemi arritur të paguajmë mbi 300 mijë euro borxhe të trashëguara”,- u shpreh kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Por, ish kreu i komunës, Bejta, sërish akuzoi pasardhësin e tij se e ka mbushur komunën me ushtarë partiakë.
“Ju e dini se e ka stërmbushur komunën, ndërmarrjet publike me ushtarë partiakë. Të gjithë që nuk mendojnë si ai, i ka internuar. Është mëkat që në shekullin XXI t’i mbledhësh 15 administratorë, profesionistë, me përvojë 10 vjeçare, t’i mbyllësh në një hapësirë 20 metra katrorë. Unë habitem se si institucionet qendrore nuk reagojnë që t’i çlirojnë këta administratorë të cilët kanë dhënë kontribut dhe e kanë sakrifikuar veten e tyre për të mirën e qytetit të tyre”,- theksoi ish-kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
Sipas Bejtës, barometri kryesor për të vlerësuar punën e kryetarit të komunës janë qytetarët, sipas tij, të cilët nuk janë të kënaqur me punën e Taravarit.
BELINDA KOKA-ADEMI
