Maqedoni
Mbyllja e paraleles në Vërtekicë, Memedi: Hakmarrje politike nga ana e Sadikut. Sadiku: Nuk ka nxënës për dy paralele
12.02.2018 18:30
Deputeti i Lëvizjes Besa, Rexhep Memedi, ka akuzuar kryetarin aktual të komunës, Azem Sadikun...

Deputeti i Lëvizjes Besa, Rexhep Memedi, ka akuzuar kryetarin aktual të komunës, Azem Sadikun, se mbyllja e një paraleleje në shkollën fillore periferike të fshatit Vërtekicë është hakmarrje politike ndaj banorëve të fshatit që nuk votuan për të në zgjedhjet lokale si dhe ndaj arsimtarit të pushuar nga puna, sipas Memedit, i cili gjithashtu nuk e ka mbështetur Sadikun në zgjedhjet e fundit.
“Në mungesë të provave për punën e arsimtarit dhe në mungesë të një konkurrentit tjetër në konkursin e fundit, kryetari i komunës merr vendim për mbylljen e paraleles dhe urdhëron drejtorin ta largojë arsimtarin në fjalë edhe pse është me përgatitje adekuate dhe përvojë 6-vjeçare në këtë shkollë. Si rezultat i kësaj manie për hakmarrje, tani në vend të dy paraleleve të kombinuara do funksionojë vetëm një paralele e kombinuar me klasën e pestë, që sigurisht do lë pasoja negative për cilësinë e arsimimit të nxënësve”,- theksoi deputeti i Lëvizjes Besa, Rexhep Memedi.
Por, kryetari i komunës, Azem Sadiku, thotë se vendimi është marrë pasi nuk ka nxënës të mjaftueshëm për dy paralele. Ai thotë se nuk bëhet fjalë për hakmarrje politike dhe mësuesi të cilit i është ndërprerë kontrata, rastësisht ka qëlluar vëllai i deputetit Memedi, por njëjtë do të ishte vepruar me cilindo mësues që do të ishte në vend të tij.
“Vendimi për kombinimin e paraleleve në fshatin Vertekicë nuk ka asnjë prapavijë politike, as hakmarrje…Bëhet fjalë për ciklin e ulët. Gjithsej në këtë vendbanim, në këtë shkollë janë shtatë nxënës, në klasën e parë janë dy nxënës, në të dytën është një nxënës, në klasën e tretë nuk ka asnjë nxënës, në të katërtën ka katër nxënës dhe po ashtu në klasën e pestë nuk ka asnjë nxënës. Ne jemi të obliguar si komunë të vendosim ashtu. Këtë e kemi praktikuar edhe ne fshatrat malore me shkolla më të vogla periferike. Ai nuk e tregon edhe një të vërtetën, se arsimtari që ka punuar me kontratë është vëllai i Rexhepit. Nuk bën politika të përzihet me interesa të ngushta familjare dhe interesa personale. Nuk është në rregull të vazhdohet duke thënë se nëntë nxënës janë këtu, bëhet fjalë për pesë paralele, sinse i kemi grumbulluar me një, nuk është ashtu”,- theksoi kryetari i komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku.
Në Shkollën periferike “Kemal Ataturk” të fshatit Vërtekicë mësojnë gjithsej 17 nxënës. Më shumë se tre javë në këtë shkollë bojkotohet procesi mësimor dhe prindërit e nxënësve i kanë dërguar peticion kreut të komunës që të rishqyrtojë vendimin. Kërkesë e njëjtë i është drejtuar edhe Ministrisë së Arsimit.
GYLTENE SINANI
