Vjenë, çështja e emrit, Dimitrov dhe Koxijas në takim me Nimicin

13.02.2018 10:15

Kjo javë do të shënojë fillimin e negociatave më serioze për emrin....

Kjo javë do të shënojë fillimin e negociatave më serioze për emrin. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Nikolla Dimitrov dhe ai i Greqisë Nikos Koxias sot në Vjenë do t’i vazhdojnë bisedimet për zgjidhjen e kontestit për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, nën ndërmjetësimin e negociatorit, Methju Nimic.

Raundin e ri të bisedimeve që nga java e kaluar e paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev. Ditë më parë kishte zëra se dy shefat e diplomacisë mund të takohen edhe në Sofje më 15 dhe 16 shkurt në kuadër të takimit joformal me homologët e vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve aspirante. Mediat greke gjithashtu shkruajnë për një takim të mundshëm në nivel kryeministrash.

E përditshmja greke, Ekathimerini shkruan se me këto takime do të fillojnë negociatat e vërteta “operative”.

Ndërsa draft-propozimi që do të përpilohet nga pala greke, do të jetë baza e diskutimeve për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçare. Sipas mediave greke, Gorna Makedonija, si emër i papërkthyeshëm është më favoriti nga propozimet e mundshme, megjithëse palët akoma nuk kanë negociuar për identitetin dhe gjuhën.