Donacion në Spitalin e Fëmijëve “Kozle”, aparat 12-kanalësh për EKG dhe perfuzorë
Aparat dymbëdhjetëkanalesh EKG, monitorë për kontroll të parametrave....

Spitali i Fëmijëve “Kozle” është pajisur me aparat dymbëdhjetëkanalësh për EKG, i cili do të shërbejë për ndjekjen e gjendjes së fëmijëve të sëmurë rëndë, si dhe për perfuzorë në dhënien e terapisë së saktë.
Aparatet mjekësore në vlerë prej 10 mijë eurosh janë donacion i realizuar me ridedikim të mjeteve të Telekomit të Maqedonisë dhe Qytetit të Shkupit, të cila fillimisht ishin planifikuar për pritjen e Vitit të Ri në sheshin e kryeqendrës, por më pas u vendos që ato të ridedikohen për qëllime humanitare.
Nga Klinika theksojnë se aparatura në fjalë ishte mëse e nevojshme, pasi përveç për problemet me mushkëritë, trajtohen edhe sëmundjet tjera tek fëmijët.
“Kur bëhet fjalë për infeksionet respiratore të sipërme dhe të poshtme të organeve të frymëmarrjes, ne e trajtojmë atë patologji. Trajtohet edhe laringiti, bronhioliti dhe pneumoni të rënda tek fëmijët, ndërsa kemi edhe qendër për bronkoskopi. Kapaciteti i spitalit vazhdimisht mbushet dhe zbrazet”,- deklaroi drejtori i Spitalit të Fëmijëve “Kozle”, Angelço Andonovski.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, shfaqi shpresë se me aparatet e donuara do të përshpejtohet procesi i diagnostifikimit dhe do të mënjanojnë pritjet për marrjen e diagnozës cilësore dhe përkatëse për fëmijët me probleme shëndetësore.
“Këtu ka pacient nga e tërë Maqedonia dhe vlerësojmë se është një nga vendet më adekuate ku duhet dedikuar donacioni. Kujdesi për shëndetin e qytetarëve dhe fëmijëve është prioriteti ynë”,- theksoi kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.
Njëherit drejtori i Spitalit, Andonovski, theksoi nevojën për kuadër të ri, e sidomos për punësimin e 20 infermiereve, për çka është njoftuar edhe Ministria e Shëndetësisë, dhe presin aprovimin për punësim. (Gyltene Sinani, TVM2)
