Qendra rajonale për bashkëpunim me komunitetin e biznesit
Prioritet i kësaj Qendre do të jetë zhvillimi i komunave dhe regjioneve dhe përpos Qendrës së Shkupit, do të hapen edhe Qendra të tjera në Pollog, rajonin lindor dhe atë jug-perëndimor....
Ministria e Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me Rajonin e Shkupit, hapën Qendrën Regjionale për Bashkëpunim me Komunitetin e Biznesit në nivel lokal.
Prioritet i kësaj Qendre do të jetë zhvillimi i komunave dhe regjioneve dhe përpos Qendrës së Shkupit, do të hapen edhe Qendra të tjera në Pollog, rajonin lindor dhe atë jug-perëndimor.
Ministri i resorit, Lirim Shabani, thotë se kjo është edhe një mundësi e mirë që Komunat edhe më shumë të shfrytëzojnë mjete nga fondet IPA të BE-së, përmes qasjeve koordinuese që do t’i kenë nëpër qendrat e caktuara.
“Ideja është që në nivel rajoni të krijojmë marrëdhënie të forta ndërmjet sektorit publik, Komunave dhe sektorit të biznesit, për të siguruar mbështetje të përbashkët për përcaktimin e prioriteteve të regjionit, realizimin e projekteve, mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, tërheqjen e investimeve përmes prezantimit të klimës së biznesit në rajon. Qendra Rajonale do të ketë biznes-hartën e subjekteve ekzistuese, si dhe mundësitë për hapjen e bizneseve të reja me mbështetjen e investitorëve vendas dhe atyre të huaj”, deklaroi ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani.
Ministria e Pushtetit Lokal, do të bëjë përcjelljen e punës së Qendrave dhe do të ndërmarrë hapat e mëtejmë, varësisht nevojës së komunitetit të biznesit, që ata të kenë sukses.
Hapja e Qendrave do të mbështetet me mjete të UNDP-së. (Afrim Tanallari, TVM2)