Maqedoni

UNT me propozime për Ligjin e arsimit sipëror: studime në pajtim me nevojat e tregut të punës

13.02.2018 16:40

Stafi i Universitetit “Nënë Tereza” po bën përpjekje maksimale që studimet në sferën tekniko-teknologjike të ndjekin trendet bashkëkohore...

Stafi i Universitetit “Nënë Tereza” po bën përpjekje maksimale që studimet në sferën tekniko-teknologjike të ndjekin trendet bashkëkohore dhe të jenë në përputhje me nevojat e tregut të punës.
 
Në këtë universitet dy programe janë paraparë të ligjërohen në gjuhën angleze në mënyrë që studentët të konkurrojnë me njohuritë e fituara në tregun global të punës.
 
Metoda klasike e mësimdhënies duhet të lihet anash, vlerëson profesori, Murtezan Ismaili, sipas të cilit duhen bërë analiza të detajuara se cilat programe studimore i nevojiten shoqërisë sonë. 
 
“Studenti mbaron informatikën dhe pasi të mbarojë studimet ajo lëmi më është vjetruar, prandaj duhet të kemi një mobilitet, bashkëbisedim shumë real, por jo vetëm mes studentit dhe profesorit, por edhe mes nevojave të shoqërisë, mes biznesit, por edhe në konsultim të plotë edhe me dr. Google, sepse çdo informatë brenda ditës postohet dhe konsultohet”,- deklaroi profesori i universitetit, Murtezan Ismaili.                                                            
 
Studentët duhet të pajisen më shumë me njohuri praktike, vlerëson udhëheqësi i bordit menaxhues, Stefan Peter, sipas të cilit nëse realizohet një gjë e tillë nuk do të mungojnë edhe vendet e punës në EVN.
 
“Kurikulumet janë bërë në bashkëpunim universitet dhe sektori i biznesit, që t’u mundësohet studentëve më shumë punë praktike. Ky model me siguri do të ofrojë vende të reja të punës në kompaninë tonë EVN”,- theksoi Stefan Peter nga bordi menaxhues i EVN-së.         
                                                                   
Sipas rektorit të UNT-së, Aziz Pollozhanit, një ndër propozimet në Ligjin për arsim sipëror është edhe mundësia që programet studimore të ndryshohen në pajtueshmëri me nevojat e tregut të punës.                                                                                                            
“T’i jepet më shumë autonomi universitetit që ai një pjesë të kurikulave t’i ndërrojë më shpesh në përputhje me nevojat e tregut, sepse nuk mundet çdo pesë vjet asnjë lëndë të mos ndryshojë në kurrikulë dhe tregu i punës kërkon fleksibilitet, i cili imponohet nga nevojat e tregut të punës dhe nëse ajo ndryshohet pas pesë vitesh, nuk i përshtatet nevojave të universitetit por edhe të studentëve”,- u shpreh rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani. 
 
Sipas Pollozhanit, po ashtu duhen bërë ndryshime edhe sa i përket   vlerës së kredive në shkencat teknike, të cilat nuk mund të jenë të njëjta me shkencat sociale dhe këto ndryshime do kontribuonin në zhvillimin e shkencave teknike në vend.
 
FLUTRA LATIFI