Maqedoni

Reshjet e borës, SPB - Tetovë apel turistëve dhe skiatorëve

13.02.2018 17:02

Reshjet e borës në viset malore dhe aksidentet e fundjavës që rezultuan me dy alpinistë të vdekur dhe shtatë turistë të humbur mes borës...

Reshjet e borës në viset malore dhe aksidentet e fundjavës që rezultuan me dy alpinistë të vdekur dhe shtatë turistë të humbur mes borës, kanë detyruar autoritetet policore t’u apelojnë alpinistëve, skiatorëve dhe turistëve, që nëse planifikojnë ngjitje në male ose skiim, të paraqiten në stacionet ose sektorët më të afërt policore.
 
Nga SPB - Tetovë apelojnë që turistët dhe adhuruesit e sporteve dimërore të tregojnë se ku planifikojnë të lëvizin në mënyrë që ekipet e shpëtimit ta kenë më të lehtë kërkimin e tyre në ndonjë rast fatkeqësie.
 
“Në situata të caktuara shumë e rëndësishme është çdo minutë, veçanërisht gjatë situatave të pavolitshme të motit dhe të terrenit vështirë të depërtueshëm në të cilat nuk ka mundësi për vendosjen  e kontaktit telefonik ose komunikimit tjetër me personat e humbur”,- thonë nga SPB - Tetovë.
 
Apeli vjen pas paralajmërimeve për reshjet intensive të borës dhe përkeqësimit të kushteve të motit në zonat malore. Kohëve të fundit është shtuar numri i individëve të humbur në male për shkak të mosnjohjes së terrenit ose kushteve të pavolitshme të motit. Fundjavën e kaluar në Kodrën e Diellit u zhvillua një aksion i gjerë kërkimi për gjetjen e tetë personave të humbur. Edhe të mërkurën e kaluar, nga rruga e bllokuar Mavrovë - Galiçnik janë shpëtuar dy turistë amerikanë.