Botë
Incident detar, anija turke godet anijen greke
13.02.2018 17:17
Një tjetër incident ka ashpërsuar sërish marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë. Mëngjesin e sotëm, anija turke UMUT...

Një tjetër incident ka ashpërsuar sërish marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë. Mëngjesin e sotëm, anija turke UMUT ka goditur me pjesën e saj të përparme anijen greke Gavdos 090, me 27 persona të ekuipazhit në bord, duke i shkaktuar dëme.
Incidenti ka ndodhur pranë ishullit grek Imia, që kontestohet nga Turqia. Anija e dëmtuar greke është dërguar menjëherë në portin e ishullit Leros, ndërsa anija turke është larguar në drejtim të brigjeve të Turqisë.
Ky është incidenti i dytë brenda 25 ditëve të fundit. Duke iu referuar kërkimeve për hidrokarbure në një prej zonave ekonomike ekskluzive të Qipros, të cilën Ankaraja e konteston, ashtu si dhe disa prej ishujve grekë të Egjeut, presidenti turk, Erdogan, me një deklaratë të ashpër ka paralajmëruar Athinën dhe Nikozinë që të mos bëjnë hapa të gabuara, duke tejkaluar cakun në Qipro dhe Egje.
Zëdhënësi i Qeverisë greke ka deklaruar se Turqia nuk po kontribuon në shmangien e trazirave në rajon, duke shtuar se qeveria greke do të mbrojë me vendosmëri të drejtat sovrane të vendit.
Benzinë zjarrit i ka hedhur edhe deklarata e ish-ministrit të Jashtëm grek, Theodhoros Pangalos, se: “turk i mirë është vetëm turku i vdekur. Iu mungojnë konceptet elementare dhe koncepti i së drejtës”,- ka thënë Pangalos.
SEVDIJE OMEROVIQ
