Maqedoni

Rasti “Trust”, sëmuret avokatja, anulohet seanca

13.02.2018 17:55

Biznesmeni, Sead Koçan, u paraqit në Gjykatën e Apelit ku duhej të mbahej seanca për rastin “Trust” e hapur nga Prokuroria Speciale Publike

Biznesmeni, Sead Koçan, u paraqit në Gjykatën e Apelit ku duhej të mbahej seanca për rastin “Trust” e hapur nga Prokuroria Speciale Publike, por seanca u anulua pasi avokatja, Sanja Aleksiç, që në këtë rast përfaqëson të akuzuarin e dytë, Vasilie Aviroviq, lajmëroi gjyqin se është sëmurë. Gjykatësja caktoi seancën e radhës për më 20 shkurt.
 
Në rastin “Trust”, Prokuroria Speciale akuzon biznesmenin, Sead Koçan, dhe dy persona tjerë fizikë dhe tre juridikë, mes tyre udhëheqësit e ndërmarrjeve “Transmet”, “Sileks”, dhe “Vato”, sipas PPS-së, të cilët me dokumente të falsifikuara kanë kurdisur tenderët në ELEM, duke shkaktuar kështu një dëm prej 17 milionë eurosh në buxhet.
 
Rasti “Trust” është në fazën e tij përfundimtare. Menjëherë pas dëshmive të avokatëve mbrojtës duhet të jepen edhe fjalët përfundimtare dhe vendimi i gjykatës për të akuzuarit. 
 
REXHEP QAMILI