Maqedoni

Raundi i ri i bisedimeve për emrin, në Vjenë takimi Nimic –Dimitrov - Kocias

13.02.2018 18:09

Shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotcias, kanë marrë në duar negociatat për emrin...

Shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotcias, kanë marrë në duar negociatat për emrin të cilat në Vjenë të Austrisë në prani të ndërmjetësit Nimic zhvilluan një takim prej disa orësh.
 
Në një komunikatë të shkurtër të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë thuhet: Pas takimit konstruktiv, që është pjesë e përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme dhe të përbashkët për tejkalimin e dallimeve rreth emrit, ministrat e punëve të jashtme ranë dakord që të vazhdojnë përpjekjet nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara”,- thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë.
 
Dimitrovi dhe Kociasi u takuan edhe një natë më parë për të sqaruar pozicionet para takimit me Nimicin. Nuk janë dhënë informacione zyrtare as për atë se për çfarë konkretisht kanë biseduar dy shefat e diplomacisë por jozyrtarisht disa media greke shkruajnë se është shtruar në tavolinë edhe projekt marrëveshja e propozuar nga pala greke që duhet t’ia dorëzojë Greqia Maqedonisë në këtë muaj. Po ashtu mediat greke thonë se pasi palët janë pajtuar në parim për emër me përcaktim gjeografik, tani janë përqendruar rreth përdorimit të emrit të ri, por edhe për definimin e nacionalitetit dhe gjuhës.
 
Takimi i sotëm i ndërmjetësit Nimic me shefat e diplomacive të palëve në kontest vjen pas vizitës së të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara në Athinë dhe Shkup para disa ditëve. Për negociata në nivel ndërministror janë dakorduar dy kryeministrat, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, në takimin e tyre në Davos.
 
Zaevi ka shprehur gatishmërinë e qeverisë së tij për të pranuar emër me përcaktim gjeografik, me sqarim shtesë se nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese derisa pala greke insiston në kornizë që do ta mbyllte problemin, sipas tyre, duke përfshirë emër për përdorim të jashtëm dhe të brendshëm, ndryshime kushtetuese si dhe tërheqjen e dyshimve irredentiste. Këto kërkesa i ka ripërsëritur kryeministri Cipras në takimin me grupin e deputetëve të SIRIZA-s.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU