Gjermani, dorëhiqet lideri i SPD-së, Martin Schulz

14.02.2018 10:17

Lideri i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, Martin Schulz....

Lideri i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, Martin Schulz, tërhiqet nga kjo pozitë për të lejuar ripërtëritje në këtë parti.

Udhëheqësit e kësaj partie të qendrës së majtë thanë dje se lider i përkohshëm deri në kongresin e partisë më 22 prill do të jetë kryetari i qytetit të Hamburgut, Olaf Scholz.

Martin Schulz, 62 vjeçar, u tha gazetarëve se udhëheqja e partisë unanimisht e ka nominuar shefen e grupit parlamentar të kësaj partie, Andrea Nahles, 47 vjeçare, për ta zëvendësuar atë në krye të partisë. Kandidatura e saj duhet të miratohet në mbledhjen e kongresit.

Dorëheqja e Schulz ishte e pritur pasi ai është tërhequr nga plani për t’u bërë ministër i jashtëm i Gjermanisë në koalicionin e ri qeverisës me konservatorët e kancelares, Angela Merkel.

Shumë anëtarë të SPD-së ishin të zhgënjyer me këtë plan, me të cilin do të përfundonte paqartësia politike katërmujore, pasi partia e Merkelit nuk ia doli ta sigurojë shumicën e votave në zgjedhjet e fundit parlamentare.