MAQEDONI

Pejnter: Aleanca t’i plotësojë obligimet

15.07.2014 16:43

Sipas saj, Maqedonia edhe përkundër mosanëtarësimit në Organizatën Euro-atlantike, ka dëshmuar gatishmëri dhe përkushtim me pjesëmarrje në operacionet e NATO-s……

Samiti i Shtatorit, do të vendos bazamentin e ardhmërisë së NATO-s, ndërsa në ndonjë samit më të përshtatshëm, i cili do të kishte zgjerimin si prioritet,  Maqedonisë, Gjeorgjisë dhe Malit të Zi do t’u propozohet anëtarësim ashtu siç e meritojnë.

Kështu u shpreh kryeoficerja e NATOS-s, Seli Pejnter, në një intervistë për TVM.  Sipas saj, Maqedonia edhe përkundër mosanëtarësimit në Organizatën Euro-atlantike, ka dëshmuar gatishmëri dhe përkushtim me pjesëmarrje në  operacionet e NATO-s.

“Më e rëndësishme është që ne mund të shohim Maqedoninë si një shtet aleat, i cili plotësisht i ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim. E rëndësishme tani është që Aleanca t’i plotësojë obligimet dhe premtimet e veta. Me mos plotësimin e obligimeve, mund të shohim një Aleancë që do të ndeshet me probleme në të ardhmen dhe kjo gjë do t’i hutojë njerëzit dhe mund të kërcënojë edhe sigurinë evropiane”- deklaroi kryeoficerja e NATOS-s, Sali Pejnter.

Prioritet i NATO-s mbetet siguria e Evropës dhe pas  përfundimit të operacionit ushtarak në Afganistan, Pejnter thekson se  NATO nuk ka ndërmend të fillon ndonjë operacion tjetër në Irak.

Tani Aleanca ka preokupime të tjera, si Krimea e Ukrainës  dhe nuk besoj për ndonjë operacion ushtarak të ri në Irak, pasi që është koha të punojmë në Evropë dhe të sigurohemi që Evropa të jetë e sigurt, ka potencuar Pejnter, duke falënderuar gjithsesi Maqedoninë për mbështetjen dhe gatishmërinë për pjesëmarrje në operacionet ushtarake të NATO-s në Irak dhe Afganistan. (Zejxhane Osmani, TVM2)