Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, përplasin partitë shqiptare
15.07.2014 16:44
Komisioni për Çështje Kushtetuese, miratoi propozimin e Qeverisë për hapjen e Kushtetutës...
Komisioni për Çështje Kushtetuese, miratoi propozimin e Qeverisë për hapjen e Kushtetutës.
Sipas ministrit të Drejtësisë, Adnan Jasharit, propozimi i Qeverisë ka për qëllim harmonizimin e standardeve me ato ndërkombëtare dhe plotësimin e rekomandimeve të GREKO-s.
“Propozimi për ndryshimin e Kushtetutës së RM-së, përmban kahje me arsyetim për ndryshim në tre faza mjaft të rëndësishme: gjyqësorin, financat dhe sferën e së drejtës familjare. Ndryshimet e cekura propozohen për arsye të harmonizimit me standarde ndërkombëtare nga sfera e gjyqësisë, që janë ndërmarrë në disa vende evropiane, si dhe plotësimi i rekomandimeve të GREKO-s.”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Në mungesë të opozitës maqedonase, debati rreth ndryshimeve kushtetuese u përqendrua mes partisë shqiptare në pushtet dhe opozitës shqiptare. Sipas PDSH-së, në pakon e ndryshimeve nuk janë përfshirë çështjet me prioritet për shqiptarët, sipas BDI-së, ndryshimet janë në interes të të gjithë qytetarëve.
“Edhe këtë herë, prioritetet shqiptare që kanë të bëjnë me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, flamurit; ndarja e drejtë dhe proporcionale e buxhetit nuk bëjnë pjesë në ndryshimet që i propozojnë propozuesit e autorizuar të Qeverisë, ku bën pjesë edhe BDI. Sinqerisht pritëm që këtë radhë do të ketë një sens në aspektin e prioriteteve dhe nevojave që paraqiten e që kanë të bëjnë me kërkesat reale të shqiptarëve.”- theksoi deputeti i PDSH-së, Imer Aliu.
“Ndryshimet të cilat propozohen, janë ndryshime kushtetutare, që kanë të bëjnë me të gjithë qytetarët e RM-së, nuk janë ndryshime që i tankojnë vetëm një bashkësie etnike dhe për këtë punë kemi marrëveshje me partnerët e koalicionit dhe duhet të plotësohen ato standarde që kërkohen nga BE. Por, ju zotëri të PDSH-së, sikur kështu siç i keni fjalët të keni edhe veprat pas vete, me siguri se do të ishte më mirë edhe për ju edhe për qytetarët e Maqedonisë, flas për shqiptarët”- u shpreh deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti.
Propozim-ndryshimet në Kushtetutën e Maqedonisë, ndër të tjera parashohin ridefinimin e përbërjes së Këshillit Gjyqësor të RM-së, përkatësisht përjashtohet ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Gjykatës së Lartë, të cilat sipas Kushtetutës në fuqi, janë anëtarë sipas funksionit.
Qeveria propozon përcaktimin e tavanit të borxhit publik në 60% të BPV-së dhe atë të deficitit buxhetor në 3%; ndryshimin e emrit të “Bankës Popullore” në “Banka e Maqedonisë” dhe përkufizimin e martesës si bashkësi mes burrit dhe gruas.
Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen me shumicë të kualifikuar, ose me 2/3 të votave në Kuvend. Shumica parlamentare, VMRO-BDI-GROM, ka numrat e duhur për të miratuar këto ndryshime.
SHPËTIM NUREDINI