Maqedoni
RTM zgjedh drejtuesit, Cvetkovski - drejtor gjeneral, Ibrahimi –zëvendësdrejtor; Cvetkovski: do të punoj për përfundimin e proceseve të nisura
14.02.2018 15:44
Këshilli Programor i Radio Televizionit të Maqedonisë, në mbledhjen e djeshme ka zgjedhur drejtorin e përgjithshëm dhe zëvendësin e drejtorit të përgjithshëm të RTM-së...

Pas shqyrtimit me kujdes të programeve të punës për periudhën e ardhshme 3-vjeçare të të gjithë kandidatëve të paraqitur, Këshilli Programor vendosi edhe për një mandat të radhës për Marjan Cvetkovskin në postin e drejtorit të përgjithshëm dhe Harun Ibrahimit në postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTM-së.
Cvetkovski, thotë se në periudhën e ardhshme do të punojë për rrumbullakimin e proceseve në RTM, modernizimin e Servisit Publik, profesionalizimin, konsolidimin financiar dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e mëtejshëm të Radio Televizionit të Maqedonisë.
Ai ka falënderuar mbështetësit dhe kritikuesit dhe premton se do të jetë i hapur ndaj çdo ideje dhe kritike konstruktive në interes të Servisit Publik. Cvetkovski sqaroi se rikandidimi erdhi pas konsultimeve me ekipin e tij, i motivuar nga ideja për rrumbullakimin e proceseve të filluara që do të rezultojnë me një Servis Publik të cilësisë së lartë.
Potencoi kthimin e 14 milionë borxheve të prapambetura, digjitalizimin e tërësishëm të RTM-së dhe emetimin në sinjal HD, rritjen e pagave për 20% pas 20 vjetësh për të punësuarit, renovimin dhe kompletimin e tërësishëm të të gjitha studiove dhe hapësirave të RTM-së, miratimin e kodeksit etik të RTM-së, sigurimin e përmbajtjeve ekskluzive programore, siç janë Liga e Kampionëve dhe Liga Europa në futboll, Liga e Kampionëve në hendboll, Olimpiada, kampionate botërore e europiane, program cilësor filmik etj.
Premtoi hapjen e më së paku tre kanaleve të reja televizive, uljen e borxhit në zero denarë, hapjen e dhjetë qendrave të korrespondenturës në vend, digjitalizim të radios, organizimin e asamblesë vjetore të vendeve anëtare të EBU-së, kushte për ndryshime serioze në programet informative dhe në zhvillimin e të gjitha programeve të tjera dhe respektimin e rolit të MTV-së si promovues i vlerave shtetërore europiane dhe euroatlantike.
Në konkursin e hapur më 26 janar të këtij viti, brenda afatit ligjor prej 15 ditësh, për postin e drejtorit të përgjithshëm të Servisit Publik u paraqitën 13 kandidatura, ndërsa për postin e zëvendësit të drejtorit të përgjithshëm të RTM-së u paraqitën 8 kandidatura.
