Botë

Tmerr në fluturimin San Francisko – Honolulu, shpërbëhet motori në ajër, avioni arrin të aterojë

14.02.2018 15:58

Një avion i Kompanisë “United Airlines”, që po fluturonte nga San Francisko drejt Havait, u detyrua të bënte një ulje emergjence...

Një avion i Kompanisë “United Airlines”, që po fluturonte nga San Francisko drejt Havait, u detyrua të bënte një ulje emergjence, pasi motori i tij nisi të shpërbëhej në fluturim.

Drama në bordin e “Boing 777” nisi pasi u dëgjua një goditje e fortë rreth gjysmë ore para aterimit  në Aeroportin e Honolulusë.

Pilotët dërguan me shpejtësi thirrje për ndihmë dhe kryen ulje emergjence, fatmirësisht pa asnjë pasojë për pasagjerët dhe stafin.

Edhe përkundër tmerrit, pasagjerët arritën të ruajnë humorin e mirë, madje njëri prej tyre postoi në rrjetet sociale një foto të motorit të dëmtuar dhe manualit të emergjencave me mbishkrimin se asnjë manual nuk tregon si të sillesh në një situatë të tillë.

Nuk është e qartë pse motori humbi mbulesën dhe disa pjesë të tij gjatë fluturimit, por autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e incidentit, që fatmirësisht përfundoi pa asnjë problem.