Maqedoni
Sindikata Multietnike e Arsimit: SAShK ndalon anëtarësimin në Sindikatën Multietnike. SAShK i mohon akuzat: te drejtoritë dërguam letra të zakonshme
14.02.2018 16:42
Sindikata Multietnike e Arsimit do të padisë SAShK-un, siç thonë, për ushtrimin e presionit ndaj drejtorëve të shkollave...

Sindikata Multietnike e Arsimit do të padisë SAShK-un, siç thonë, për ushtrimin e presionit ndaj drejtorëve të shkollave që të punësuarve të mos u lejojnë të anëtarësohen në Sindikatën Multietnike.
Sipas kryetarit të Sindikatës Multietnike, Dragi Jovanovski, SAShK-u nuk ka përfaqësuar denjësisht të drejtat e punonjësve të arsimit dhe dhjetë vite të tëra sa ka udhëhequr i ka zvogëluar të drejtat e punëtorëve që u takojnë nga marrëveshja kolektive.
Nuk kanë qenë në gjendje të organizojnë as edhe grevë për shkeljen e të drejtave të punëtorëve, andaj ata tani nuk kanë të drejtë që të ndalojnë punonjësit e arsimit të anëtarësohen te Sindikata Multietnike që do t’i mbrojë të drejtat e nëpërkëmbura deri më tani.
“Do parashtrojmë padi penale kundër SAShK-ut për gjërat që i kanë bërë deri më tani, të mos predikoj, por para Gjykatës do përgjigjen për veprimet e tyre dhe në të ardhmen i lus që të mos ngatërrohen në punët tona”,- tha kryetari i Sindikatës Multietnike të Arsimit, Dragi Jovanovski.
Në linjë telefonike kontaktuam edhe kryetarin e SAShK-ut, Jakim Nedellkovin, i cili kategorikisht i mohon akuzat e tilla. Ai tha se bëhet fjalë për letra të zakonshme që u janë dorëzuar drejtorëve të shkollave për të respektuar marrëveshjen kolektive.
Sipas tij, 90 për qind e të punësuarve në sektorin e arsimit janë të anëtarësuar në SAShK, gjë që flet shumë për funksionimin dhe përfaqësimin e të drejtave të punëtorëve. Andaj të gjitha këto akuza janë të pabaza dhe ne këtë do ta dëshmojmë, tha Nedellkov.
FLUTURA LATIFI
