Maqedoni
Klinika e Fëmijëve në Shkup, fillojnë punë 20 infermierë, priten edhe 20 punësime
14.02.2018 17:01
Në Klinikën e fëmijëve në Shkup kanë filluar me punë 20 infermierë të rinj që u kërkuan si domosdoshmëri...

Në Klinikën e fëmijëve në Shkup kanë filluar me punë 20 infermierë të rinj që u kërkuan si domosdoshmëri imediate pas mbylljes së 24 orëshe të repartit të hematologjisë.
Personeli i ri është i punësuar me kontratë në vepër dhe bashkë me ndërrimet e rregullta të punës me ta po mbahen edhe trajnime shtesë për t’u aftësuar për punë në të gjitha repartet e kësaj klinike. Priten punësime edhe të 20 infermierëve të tjerë në këtë klinikë.
“Personeli i infermierëve është i zvogëluar, janë të mbingarkuar me kujdestari dhe janë në moshë të shtyrë, me sëmundje kronike dhe një pjesë e tyre shpeshherë shfrytëzojnë pushimet mjekësore, kështu që shpresoj se me punësimin e tërësishëm të këtyre 40 infermierëve do të amortizohet mungesa e deritanishme e personelit”,- deklaroi drejtoresha e Klinikës së Fëmijëve në Shkup, Katerina Stavriç.
Drejtuesit e kësaj klinike kërkojnë zgjidhje edhe të çështjes me mungesën e mjekëve dhe të pajisjeve më të sofistikuara për diagnostifikim.
“Kufiri i moshës së mjekeve është i rritur dhe realisht na mungojnë edhe mjekët e rinj. Ne jemi klinikë me 13 reparte dhe pothuajse në të gjitha këto reparte vërehet mungesë. Që të organizohet puna ashtu siç duhej dhe të jemi në shërbim të pacienteve, kjo shifër është e pamjaftueshme”,- u shpreh drejtoresha e Klinikës së Fëmijëve në Shkup, Katerina Stavriç.
Përveç punësimeve të infermierëve, Klinika e Fëmijëve u pajis edhe me aparate lazerike për gjetjen e më të lehtë të damarëve tek fëmijët, një dhuratë nga Qendra për Dializë “Diamed Makedonia” në vlerë prej 260 mijë denarë.
REXHEP QAMILI
