Maqedoni

Përçarjet në Lëvizjen “Besa”, Ibraimi: Ndarjet ia ulin forcën politike partisë

14.02.2018 17:15

Ndarjet në Lëvizjen “Besa” dhe paralajmërimi për mbajtjen e dy kongreseve janë në dëm të vetë këtij subjekti politik...

Ndarjet në Lëvizjen “Besa” dhe paralajmërimi për mbajtjen e dy kongreseve janë në dëm të vetë këtij subjekti politik, vlerëson njohësi i rrethanave politike në vend, Selim Ibraimi. Sipas tij, me këto veprime është vënë në pikëpyetje fuqia e tyre në spektrin politik në vend. 
 
“Ndarja në distrikte, në rajone të Lëvizjes, është rrezik i madh për vetë partinë, pasi që e vë në dilemë vetë votuesin se për kë do të votojë. Ndarja në disa fraksione në fakt ka sjellë dobësimin e partisë së Lëvizjes “Besa” në aspektin politik shqiptar. Tani është në duart e votuesve shqiptarë se cilin krah do të përkrahin, është krahu i Bilallit dhe ai i Kahremanit. Andaj ndarja në fraksione në fakt ka dëmtuar fuqinë politike të Lëvizjes “Besa””,- deklaroi analisti politik, Selim Ibraimi.
 
Përçarja brenda partisë është thelluar në shkallë, saqë Ibraimi nuk beson se dy fraksionet do të mund të veprojnë të bashkuar pas kongreseve.
 
“Këto dy fraksione nuk mendoj se do të bashkohen prapë, tani mbetet që vetë këto si dy fraksione autonome, pra të pavarura, të shohin se sa nga elektorati mund të absorbojnë nga trungu shqiptar, për shkak se dy krerët kanë thënë dhe se vështirë se do të dakordohen. Antagonizmat të cilat i kanë paraqitur në opinion dhe të mund ata një ditë të bashkohen, pra ngelet që të shkojnë paralelisht me kongrese dhe ndoshta të regjistrohen edhe si parti të pavarura”,- u shpreh analisti i çështjeve politike, Selim Ibraimi.
 
Përçarjet e këtilla tek subjektet politike, sipas Ibrahimit, janë në dëm të vetë partive politike, por edhe të elektoratit shqiptar të cilin pretendojnë ta përfaqësojnë ata. 
 
Ndryshe, nga Lëvizja “Besa” kanë paralajmëruar mbajtjen e dy kongreseve, njëri në Tetovë më 18 shkurt, që udhëhiqet nga Nexhmedin Kahrimani, dhe tjetri më 24 shkurt të këtij viti në Shkup, i udhëhequr nga Bilall Kasami.
 
NAIM RAMADANI