Maqedoni
Ligji për furnizime publike, Qeveria: jo vetëm çmimi, me rëndësi edhe cilësia. Komuniteti i biznesit: të anashkalohet burokracia, më shumë efikasitet
14.02.2018 17:28
Me Ligjin e ri për furnizime publike, përveç çmimit, si kusht më i rëndësishëm gjatë nënshkrimit të tenderit për furnizime publike...

Me Ligjin e ri për furnizime publike, përveç çmimit, si kusht më i rëndësishëm gjatë nënshkrimit të tenderit për furnizime publike nga ana e organeve shtetërore do të jetë i rëndësishëm edhe cilësia.
Qëllimi i ligjit të ri është që ta forcojë transparencën dhe kontrollin e procedurave, por në të njëjtën kohë t’i bëjë më të thjeshta dhe më të lehta për implementim. Ligji do të obligojë institucionet të publikojnë kontratat dhe dokumentacionet e tjera nga çdo furnizim publik individual i Sistemit të Furnizimit Publik Elektronik, duke siguruar kështu mbrojtje edhe kundër korrupsionit.
“Në përputhshmëri me rregullativën dhe përvojat evropiane, ligji i ri jep mundësi që përskaj çmimit të vlerësohet edhe cilësia. Pastaj, organi për marrëveshje, i varur nga koha, vet do të mund të vërtetojë se si kriter do ta shfrytëzojë çmimin më të ulët, kosto-efektin në bazë të jetëgjatësisë së produktit apo raportit më të mirë mes çmimit dhe cilësisë”,- deklaroi ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
“Në bashkëpunim me Bankën Botërore, ne veç më kemi projektin e flamujve të kuq, të cilët do të instalohen në sistemin elektronik për furnizime publike dhe pikërisht flamujt e kuq do të jenë indikatorë ose tregues të korrupsionit. Kontrolli i furnizimeve do të kryhet në mënyrë sistematike dhe ajo do të jetë zgjidhje e mirë”,- u shpreh drejtori i zyrës për furnizime publike, Gjorgji Georgievski.
“Sistemi është kryesisht në përputhshmëri me detyrimet kryesore të BE-së, por sistemi aktual është ende shumë burokratik, shumë i fokusuar në formalitete dhe shpesh anashkalohet efikasiteti. Sipas nesh, ky është drejtimi kyç në të cilin duhet të përqendrohet ligji i ri për furnizime publike”,- u shpreh përfaqësuesi i komunitetit të biznesit, Marijan Lemke.
Ligji në fjalë duhet të miratohet nga parlamenti deri në tetor të këtij viti, ndërsa do të fillojë të zbatohet nga janari i viti 2019.
BELINDA KOKA-ADEMI
