Maqedoni
Kapen 5 të dyshuar për vjedhjen e postës në Bukoviç
15.07.2014 17:15
Pesë persona, në mesin e të cilëve edhe një polic, janë arrestuar nën dyshimin për plaçkitjen e filijales së Postës së Maqedonisë në fshatin Bukoviç...
Pesë persona, në mesin e të cilëve edhe një polic, janë arrestuar nën dyshimin për plaçkitjen e filijales së Postës së Maqedonisë në fshatin Bukoviç, prej ku ishin marrë mbi 1 milion denarë.
Personat e arrestuar janë në moshë nga 22 deri më 36 vjeç, prej të cilëve tre janë nga fshati Semenishtë, një nga Sarai dhe një nga fshati Çerkez në Kumanovë. Të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “plaçkitje”, për të cilën është caktuar masa e paraburgimit 30 ditorë.
“Ministria e Punëve të Brendshme, menjëherë pas paraqitjes së rastit ka filluar të ndërmerr masa intensive në teren. Në ndërkohë, i dyshuari i katërt kishte tentim për plaçkitje të një këmbimoreje në Kumanovë, ku ishte arrestuar nga shërbimet Policore në sektorin për Punë të Brendshme në Kumanovë, ku pas një bisede, ai ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në plaçkitjen e mëparshme dhe ka dhënë detaje rreth mënyrës se si është kryer plaçkitja, si dhe për involvimin e personave të tjerë në këtë vepër”- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Pesë të dyshuarit, më 8 korrik, të maskuar dhe armatosur kanë hyrë në Postë në momentin kur ka pasur tre të punësuar, drejt të cilëve kanë drejtuar kërcënime dhe urdhra për të hapur arkën metalike.
Organizimi i plaçkitjes ka qenë me dy vetura, ndërsa të dyshuarit të hollat e plaçkitura i kanë ndarë në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve në fshatin Semenishtë, ku dhe i kanë djegur qeset bosh dhe maskat. Pjesa më e madhe e të dyshuarve edhe më herët kanë qenë të njohur për Policinë, për vepra të ndryshme penale.
FLORIJE KAMBERI