Maqedoni
Verë me shi deri të enjten
15.07.2014 17:19
Shira të dendura, vetëtimë dhe erë e fuqishme sot pas dite u regjistruan pothuajse në tërë territorin e vendit...
Shira të dendura, vetëtimë dhe erë e fuqishme sot pas dite u regjistruan pothuajse në tërë territorin e vendit, në veçanti në Shkup, Shtip dhe Probishtip.
Përkeqësimi i motit vjen si rezultat i ndikimit të një mase të lagështisë nga perëndimi, i cili sot rezultoi me një stuhi të fortë, thonë sinoptikanët për TVM-2. Një kohë i tillë, me diell dhe shi, mund të kemi edhe gjatë ditës së nesërme.
“Nën ndikimin e masës së lagështisë nga perëndimi, vendi ynë u kaplua sot nga reshjet e shiut. Përkeqësimi i kohës u regjistrua në pjesët qendrore dhe veriperëndimore të vendit. Në Shtip, Probishtip dhe Shkup patëm shira të dendura, me vetëtimë dhe erë të fuqishme. Shpejtësia e erës në Shkup, arriti prej 50 deri më 60 kilometra në orë. Një kohë e tillë pritet të mbizotërojë në Maqedoni edhe gjatë ditës së nesërme.”- deklaroi sinoptikania, Lena Jovanovska.
Stuhia e sotme, bllokoi për pak momente trafikun rrugor dhe rrëzoi në tokë disa çati dhe dru në lagjen Ajrodrom të Shkupit.
Sinoptikanët thonë se përmirësim të kohës dhe temperatura më të larta mund të priten vetëm pas të enjtes.
REXHEP QAMILI