Masakër në ShBA, 19-vjeçari vret 17 persona në një gjimnaz

15.02.2018 12:12

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Amerikën kur 17 persona mbetën të vrarë në një gjimnaz në Parkland të Floridas...

Autori i dyshuar i kësaj masakre është një 19-vjeçar, ish-nxënës i përjashtuar nga kjo shkollë. Përpara se ai të qëllonte mbi viktimat ka aktivizuar alarmin e zjarrit duke shkaktuar kaos në shkollë.
 
Nxënësit u detyruan të fshiheshin nëpër klasa, ndërkohë që policia rrethoi ndërtesën. Të shtënat me armë nisën jashtë shkollës, ku fillimisht u vranë tre persona.
 
Më pas 19-vjeçari u fut brenda ku vrau 12 persona të tjerë. Dy persona humbën jetën në spital. Një mësuese bashkë me 19 studentë të tjerë ishin fshehur në dollape për rreth 40 minuta pasi shkolla ishte trajnuar për një situatë të tillë 6 javë më parë.Presidenti, Donald Trump, në një postim në Twitter shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.
 
Asnjë fëmijë, mësues apo kushdo tjetër nuk duhet kurrë të ndihet i pasigurt në një shkollë amerikane”,- shkroi Trump.
 
Që prej 2013-s, në Amerikë ka pasur të paktën 291 të shtëna me armë në shkolla, që mesatarisht do të thotë një sulm  në javë. Masakra e fundit është  një prej masakrave më të rënda në vend që prej 2012-s, kur Adam Lanza sulmoi shkollën fillore në Konektikat duke qëlluar  për vdekje 20 fëmijë dhe 6 të rritur, përpara se të vetëvritej.