Maqedoni

Negociatat për emrin, Osmani: Qëndrimet publike vetëm pasi të qartësohen

15.02.2018 15:50

Zhvillimi i negociatave për emrin ka hyrë në fazën serioze dhe njëkohësisht të ndjeshme dhe nuk është kontribuuese ulja e bisedimeve në nivel të mediave pa pasur një qëndrim të gatshëm...

Kështu deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, sipas të cilit momentalisht palët po harmonizojnë qëndrimet e tyre, ndërkaq janë disa pika më të ndjeshme dhe njëkohësisht thelb i kontestit për të cilat po punojnë njerëzit e zgjedhur. Ai tha se për momentin nuk ka vend për të hapur tema si referendum apo ndryshime kushtetuese.
 
“Çelësi i suksesit të këtyre negociatave është, ato të jenë për momentin të kufizuara në nivel të grupeve negociuese. Model për të dështuar ky proces janë negociatat nëpërmjet mediave, negociatat publike, për shkak se e dimë nga eksperienca gjithmonë kur kemi qenë afër zgjidhjes, debati publik e ka rrënuar procesin në fazë të hershme. Nuk them se ne duhet t’i ikim debatit publik, por në këtë fazë kur procesi ende është i papjekur mjaftueshëm që të mund të ekspozohet në opinion, ai do të shkatërrohet që në fillim”,- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
 
Duke folur për strategjinë e KE-së për zgjerim, Osmani tha se pajtimi në mes popujve në vend është një moment i ri në strategji dhe kjo, sipas tij, nënkupton marrëdhëniet ndëretnike dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ai shtoi se dy partitë më të mëdha maqedonase po merren vesh për qëndrimin e tyre, ndërkaq pasi të kthehen deputetët nga Mbretëria e Bashkuar do të harmonizohen detajet.
 
“Ekziston një komunikim mes VMRO-së dhe LSDM-së. Ne jemi të informuar në vazhdimësi. Ishte në rregull fillimisht të fillojnë ata, sepse atje ishte mosbesimi  kryesor, të krijohet një fondament i besimit të ndërsjellë, pastaj do të formatizohet ai debat. Ekzistojnë dy grupe punuese të cilat po i trajtojnë çështjet kryesisht të planit 3-6-9. Kur të krijohet një besim bazik, atëherë do të inkuadrohemi edhe partitë tjera  dhe do ta formatizojmë këtë debat pozitë - opozitë”,- u shpreh zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
 
Këto komente Osmani i bëri gjatë prezantimit të strategjisë para organizatave joqeveritare. Me këtë rast tha se nevojitet sinergji mes pushtetit dhe OJQ-ve,  që të kemi implementim të suksesshëm të strategjisë.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU