Maqedoni

Zonat zhvillimore teknologjike, Angjushev: 73.5 mln euro në 8 investime të reja

15.02.2018 16:36

Dy muajt e fundit pasi qeveria e ka prezantuar programin për rritjen ekonomike...

Dy muajt e fundit pasi qeveria e ka prezantuar programin për rritjen ekonomike, ka tetë investime të reja në ZTZHI në vlerë prej 73.5 milionë eurove, të cilat do të krijojnë 1.570 vende të reja pune, theksoi zëvendëskryeministri për çështjet ekonomike, Koço Angjushev.
 
Janë nënshkruar marrëveshje me kompanitë “Murat viring systems”, “Xhemdash lajting Europa”, “Kesler”, “Dogan otomotiv”, “Sagen”, Çagataj Kabllo”, “VIK” dhe kompaninë “Kostal”. Sipas Angjushevit, përparësia për këto investime qëndron në faktin se ato janë sjellë në Maqedoni pa shpenzime për marketing.  
 
“Duhet ta dimë se e gjithë kjo është bërë me 0 denarë shpenzime për promocione dhe marketing. Në krahasim me shtatë vitet e kaluara, ku janë tërhequr 23 investime për të cilat ishin harxhuar 225 milion euro. Ende nuk e kemi filluar programin, e tashmë janë nënshkruar tetë marrëveshje të reja, ndërsa në çdo kohë do të ketë edhe 30 marrëveshje të reja për investime të huaja”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Koço Angjushev.
 
Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, theksoi se me Ligjin për mbështetjen financiare, i cili deri në mars duhet të zbatohet, do të ketë efekte më të mëdha në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve.  
 
“Duke krijuar një kornizë ligjore për zbatimin e masave të përfshira në planin për rritje, i cili përcakton prioritetet kryesore të politikave për periudhën e ardhshme, pritet rritje e investimeve private dhe e punësimit, përmirësim i efikasitetit, produktivitetit dhe konkurrencës së sektorit privat, nivel më të lartë të eksportit dhe promovim të bashkëpunimit ekonomik rajonal, dhe kështu ndikon në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Nga qeveria thonë se nuk do të lejojë asnjë kompani që do të investojë në vend të mos paguajë kontributet sociale për punonjësit, siç ka qenë praktikë deri më tani. 
 
ERSAN PAJAZITI