Maqedoni
Ndërrohen drejtorët e ASh-së, tre klinika të Shkupit me drejtues të rinj
15.02.2018 16:50
Pas ardhjes në funksion të ministrit të ri të shëndetësisë, Venko Filipçe, filluan edhe ndërrimet e drejtorëve të klinikave...

Disa nga klinikat e kryeqytetit, që deri më tani udhëhiqeshin nga kuadro të Aleancës për Shqiptarët, tani kanë drejtorë të rinj. Klinikën për kardiologji, pas dorëheqjes së drejtorit, Bekim Pocesta, do ta drejtojë dr. Xhan Zimbakov, si ushtrues detyre për momentin.
Zimbakov vjen në këtë post nga klinika privat e specializuar për kardiokirurgji Filipi i Dytë dhe tashmë prej disa muajsh ai është edhe kryetari i Komisionit të shkallës së dytë për mjekim jashtë vendit. Në vend të Agim Karait, në krye të Klinikës për stomatologji, ushtruese detyre është caktuar Amella Cana, e cila në këtë pozitë vjen nga Fondi për sigurim shëndetësor, ku ishte drejtuese e sektorit për kontroll.
Në vendin e Bekim Tateshit në Klinikën universitare për sëmundje të syve, si ushtrues detyre është emëruar Hristijan Duma. Emërimet e reja vijnë pasi Ministria e Shëndetësisë pranoi dorëheqjet e drejtorëve të deritanishëm të emëruar nga ish-ministri i shëndetësisë, Taravari, që erdhën si pasojë e daljes së Aleancës për Shqiptarët nga koalicioni qeveritar.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
