Botë

Masakër në ShBA, 19-vjeçari vret 17 persona në një gjimnaz

15.02.2018 17:15

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Amerikën, kur 17 persona mbetën të vrarë në një gjimnaz në Parkland të Floridas....

Autori i dyshuar i kësaj masakre është një 19-vjeçar, ish-nxënës i përjashtuar nga kjo shkollë. Përpara se ai të qëllonte mbi viktimat ka aktivizuar alarmin e zjarrit duke shkaktuar kaos në shkollë. Të shtënat me armë nisën jashtë shkollës, ku fillimisht u vranë tre persona.
 
Më pas 19-vjeçari, Kruz, u fut brenda dhe vrau 12 persona të tjerë. Dy persona humbën jetën në spital. Nxënësit e tjerë u detyruan të fshiheshin nëpër klasa, por vrasësi me bomba-molotovi  i detyroi të pranishmit të dalin nga klasat në korridor për t’i mbledhur dhe zgjedhur viktimat në turmë, ndërsa vetë mbante gaz - maskë, ndërkohë që policia kishte rrethuar ndërtesën. 
 
“Të gjithë qëndronin si të humbur, disa ishin shtangur në vend, disa thërrisnin nga telefonat e tyre celularë për të kërkuar ndihmë. Në fillim menduam se kjo ishte një lojë-shaka, por nuk ishte”,- u shpreh një nxënës.
 
“E dija që do të ndodhte diçka shumë e tmerrshme. Të gjithë shkruanin mesazhe, mendoj se ata dëshironin të informonin të tjerët për atë që ndodhte”,- tha një nxënës.
 
Ata që e njihnin Kruzin, një incident të tillë e prisnin nga ai, sepse për një periudhë të gjatë ai postonte mesazhe dhe foto shqetësuese në rrjetet sociale.
 
“E kanë përjashtuar nga shkolla. Ai bënte veprime të pazakonta dhe jo të hijshme, mbante armë me vete. Unë personalisht kam parë disa pjesë-armë të cilat mi ka treguar”,- theksoi një nxënës.
 
Jim Lewis, avokati i familjes së të dyshuarit, pohon se askush nga familja nuk kishte parë shenja paralajmëruese. Kruz ishte fëmijë i adoptuar i kësaj familje. Ai punonte në një dyqan dhe merrte pjesë në një Qendër Edukimi për të Rritur.
 
“Djali ka jetuar këtu 90 ditët e fundit. Nëna e tij vdiq në nëntor dhe kjo familje e mori përsipër për t'u kujdesur për të. Ata e njohin nga shkolla e mesme. Janë të tronditur dhe nuk kanë komente për këtë që ndodhi. Familja tha se do të bashkëpunojë në hetim”,- deklaroi avokati i familjes, Cruise Jim Lewis.
 
Një mësuese bashkë me 19 studentë të tjerë ishin fshehur në dollape për rreth 40 minuta, pasi shkolla ishte trajnuar për një situatë të tillë 6 javë më parë.
 
Presidenti, Donald Trump, në një postim në Twitter shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave. “Asnjë fëmijë, mësues apo kushdo tjetër nuk duhet kurrë të ndihet i pasigurt në një shkollë amerikane”,- shkroi Trump. Që prej 2013-s, në Amerikë ka pasur të paktën 291 të shtëna me armë në shkolla, që mesatarisht do të thotë një sulm në javë. Masakra e fundit është një prej masakrave më të rënda në vend që prej 2012-s, kur Adam Lanza sulmoi shkollën fillore në Konektikat, duke qëlluar për vdekje 20 fëmijë dhe 6 të rritur përpara se të vetëvritej.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU