Botë

Gabriel në Prishtinë: Serbia të pranojë Pavarësinë e Kosovës

15.02.2018 17:36

“Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës”, ishte mesazhi i qartë i ministrit të jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, në Kosovë....

“Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës”, ishte mesazhi i qartë i ministrit të jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, në Kosovë. Vetëm kështu ajo do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian, shtoi shefi i Diplomacisë gjermane në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin, Ramush Haradinaj, të dhënë në Prishtinë. Por, Gabriel shtoi se Kosova vetë duhet të përgatitet për çështje jo të këndshme që e presin këtë vit.
 
“E theksuam edhe në Beograd se, nëse Serbia dëshiron të ecë në drejtimin e BE-së, duhet të plotësojë kriteret e shtetit ligjor, e natyrisht edhe pranimin e Pavarësisë së Kosovës. Ky është një parakusht për rrugën e tyre për në BE, e për këtë ju mund të llogarisni mbështetjen tonë. Kosova duhet të përballet edhe me çështje si institucionet e specializuara që duhet të trajtojnë krimet e mundshme të luftës. Më gëzon se ka vullnet për t’u zgjidhur edhe çështja e Demarkacionit me Malin e Zi. Ne e mbështesim këtë, sepse është në të mirë të qytetarëve të Kosovës, duke qenë se me plotësimin e këtij kriteri do të ketë liberalizim të vizave”,- deklaroi ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel.
 
Edhe kryeministri malazez, Duško Markoviç, në Prishtinë gjatë takimit me kryetarin e Parlamentit, Kadri Veselin, kërkoi ratifikimin e Demarkacionit dhe nevojën që përveç integrimit euroatlantik Kosova dhe Mali i Zi të punojnë ngushtësisht edhe për forcimin e raporteve të tyre ekonomike.
 
GYLTENE SINANI