Botë
Marrëveshja me Greqinë për detin, Meta në konsulta me ish-presidentët shqiptarë
15.02.2018 17:41
Dy ditë pasi ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i kërkoi presidentit, Ilir Meta...

Dy ditë pasi ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i kërkoi presidentit, Ilir Meta, plotfuqishmërinë për vijimin e negociatave me Greqinë, kreu i shtetit shqiptar ka zhvilluar konsultime me paraardhësit e tij. Pas takimit të Nishanit dhe Topit ditën e mërkurë, sot në orën 12:00 në Presidencë mbërriti ish-presidenti, Alfred Moisiu, i thirrur nga kreu i shtetit për konsultim lidhur me kufirin detar. “E vlerësoj takimin konsultativ me presidentin Meta. Konsultimet asnjëherë nuk kanë gjë të keqe. Konsultimi është një traditë e vjetër shqiptare. I sugjerova që këto çështje të bëhen publike. Bërja publike e bisedimeve është në interes të vendit”,- mësohet të jetë shprehur Moisiu.
Pas Moisiut, në zyrën e Ilir Metës për 30 minuta qëndroi ish-presidenti, Rexhep Meidani, i cili është shprehur se “Konsultimet me ish-presidentët janë të nevojshme. Më gjatë në konsultë me presidentin, Ilir Meta, qëndroi paraardhësi, Sali Berisha. Ish-presidenti, Sali Berisha, qëndroi në zyrën e Metës për 50 minuta për konsultimin lidhur me dhënin e plotfuqishmërinë nga presidenti për vijimin e negociatave me shtetin grek. Opozita e ka akuzuar qeverinë Rama se po i fal 12 milje det grekëve, në këmbim të arritjes së një marrëveshjeje për heqjen e Ligjit të luftës dhe pronave të çamëve në Greqi.
LULJETA NDOKA
